“Guardiola më ndryshoi karrierën”, Koman nuk përmbahet: Jemi ndërtuar vetëm për suksese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 11:27

“Guardiola më ndryshoi karrierën”, Koman nuk përmbahet: Jemi ndërtuar vetëm për suksese

Kingslei Koman ishte i qeshur pas ndeshjes së djemshme pasi shënoi dy herë përballë Atletikos së Madridit. Francezi tha pas takimit se ky sezon do të jetë edhe më i mirë se ai që lamë pas. “Ishte një start i mirë për gjithë skuadrën. Jam i lumtur që shënova dhe ndihmova shokët në fushën e lojës. Shpresoj që dëmtimet të mos më shqetësojnë më për të qenë sa më mirë. Jam i bindur që do të arrijmë gjëra të mëdha”, tha francezi pas ndeshjes.

Koman

KUJTIME NGA FINALJA

Pak më herët, në një intervistë për mediat angleze, ai kujtonte natën magjike në Lisbonë dy muaj më parë. Heroi i Champions-it nuk e harron kollaj golin e shënuar ndaj Parisit në finale, një gol që i dha skuadrës Champions-in e gjashtë në histori. “Ishte një moment shumë i veçantë. Në një ndeshje normale nuk mund të dëgjosh asgjë në fushë pasi ka shumë tifozë, por në atë moment sapo topi hyri në rrjetë, dëgjova shokët e skuadrës që bërtitën nga gëzimi. Ishte një moment shumë i veçantë. Pjesa më e trishtuar ishte kur u kthyem për në Mynih, nuk kishte asnjë festë, vetëm diçka të vogël me stafin. Gjithsesi, ishte diçka e këndshme”, tha Koman për “DailyMail”.

Me vetëm 24 vjet mbi supe, Kingslei ka fituar shumë: 1 kampionat francez në moshën 17-vjeçare me Parisin, dy Seri A me Juventusin dhe pesë kampionate në Bundesligë me bavarezët. Në total, 21 trofe duke përfshirë edhe trofetë ndërkombëtarë. Ai është stërvitur nga trajner të mëdhenj, si Maks Alegri, Karlo Ançeloti, Hansi Flik dhe Pep Guardiola. Ky i fundit mësohet të ketë pasur edhe ndikimin më të madh te francezi kur e mori në 2015-ën te Bajerni. “Pep më kërkoi ta shihja futbollin nga një këndvështrim tjetër. Ai më tregoi se duhet të luaja hapur dhe të tentoja gjithmonë driblimet një kundër një, kjo do të bënte diferencën dhe kishte të drejtë”, tha Koman.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"