Guardiola, kurrë kaq keq që kur ka nisur karrierën. Spanjolli asnjëherë në këto pozita

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 21:50

Bota Premier Liga Të fundit

Guardiola, kurrë kaq keq që kur ka nisur karrierën. Spanjolli asnjëherë në këto pozita

Pep Guardiola kurrë nuk e ka nisur kaq keq një sezon. Që kur është ulur në pankinën e skuadrave, tekniku katalanas ka bërë gjithnjë më mirë se Mançester Siti i këtij sezoni, sa u përket pikëve të grumbulluara dhe vendit në klasifikim. 

guardiola oliver

Do të thuhet se Premier Liga është turneu më i vështirë. Po, është e vërtetë, por as La Liga nuk bën shaka. Dhe në Spanjë, me Barcelonën e tij, trajneri nga Santpedor pas 12 javësh ka qenë ose i pari, ose i dyti, maksimumi pas Murinjos në sezonin 2011-’12, vitin e tij të fundit në “Camp Nou”, -3 nga Reali i Madridit që pastaj fitonte La Ligën me 100 pikë. Por, edhe në atë sezon, deri në javën e 12-të, Pep nuk kishte pësuar ende humbje dhe kishte grumbulluar 28 pikë.

3 HUMBJE, 13 GOLA TË PËSUAR – Por këtë sezon, humbjet e Sitit janë në kuotën 3 dhe ata kanë vetëm 25 pikë. Vetëm 8 fitore, duke barazuar minimumin e arritur në sezonet e tij 2016-’17 dhe 2011- ’12. Përveç disfatës së fundit me Liverpulin, Siti i tij ka humbur deri më sot edhe me Noruiçin dhe në shtëpi me Uolvesin. Në 2008-’09 u mposht një herë, nga Numansia.

Edhe në 2010-’11 një goditje të vetme, në shtëpi me Herkulesin. Asnjë humbje me Bajernin dhe gjithnjë me mbi 30 pikë. Vetëm një humbje (me Totenhemin 2-0) në vitin e tij të parë në Premier Ligë në 2016-ën. Ishte hera e fundit që ishte kaq mbrapa në këtë pikë të kampionatit (i treti me 27 pikë), por vetëm -1 nga Çelsi i Kontes, i cili më pas fitonte kampionatin. Sigurisht që nuk kishte pësuar kurrë kaq gola në 12 javë: 13 deri tani, nga të cilët 3 me Noruiçin në vetëm 50 minuta: 11 gola i kishte pësuar në debutimin në Angli në 2016- ’17.

GABIMET – Pra, shifrat flasin qartë. Siti është nisur keq dhe me numra që nuk i garantojnë aspiratën për të konfirmuar dy titujt e fituar në sezonet e fundit. Në të nxehtë, Guardiola tha pas ndeshjes: “Treguam përse jemi kampionë. Paraqitje e pabesueshme, një nga më të mirat që kemi bërë. Jam krenar për mënyrën se si kemi luajtur, por edhe prej problemeve në formacion me të cilat po përballemi”.

Ai preku një tast të dhimbshëm që në fakt është i vërtetë, sepse kapiteni Vinsent Kompani u rikthye në Bruksel dhe Guardiola nuk u shqetësua për ta mbuluar hapësirën e lënë nga belgu. Por, këmbënguli që të mbulonte krahët me Kanselon (për Danilon) dhe spanjollin Angelinjo që e rimori nga PSV-ja, duke lënë të lirë edhe qendërmbrojtës si rasti i Pablo Mari, i cili shkoi te Flamengo dhe i Mangalasë, i cili u transferua te Valencia. Por, edhe Delf u lejua të shkonte, ndërkohë që ishte një alternativë edhe në mbrojtje. Sigurisht, që në rezultatin e fundit në “Anfield Road” ndikuan edhe dy prekjet e topit me dorë nga AleksanderArnold.

Por nëse në Liverpul ai nuk ka fituar në 5 vizita (mes të cilave ka regjistruar katër humbje), do të ketë një motiv. Dhe nëse Jyrgen Klop është macja e tij e zezë, duhet reflektuar: 8 ndeshje ka humbur Guardiola përballë tij në karrierë, 3 më shumë se ndaj çdo rivali tjetër. Gjermani, për shembull, ka zgjedhur Van Dajkun për të ndërtuar mbrojtjen e tij, ndërsa Pep në mbrojtje stonon.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com