Guardiola: Kam një plan për Junajtidin dhe Interin, por tani duhet të pushojnë edhe… kuzhinierët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2023 | 9:29

Guardiola: Kam një plan për Junajtidin dhe Interin, por tani duhet të pushojnë edhe… kuzhinierët

Mançester Siti mbyll një sezon spektakolar në Premier Ligë sot në ndeshjen kundër Brentfordit, por temat kryesore në konferencën për shtyp të trajnerit Pep Guardiola janë sigurisht dy finalet e fundit të sezonit, ajo kundër Junajtidit në Kupën FA dhe kundër Interit në Champions.

Guardiola

“Interin e kam parë pak javën e shkuar, por jo këtë javë. Jam më shumë i përqendruar te Mançester Junajtidi. Pashë ndeshjen e tyre kundër Çelsit dhe nisa të rishikoj atë që ata bënë për ta përgatitur atë ndeshje. Do të shoh se cilët lojtarë ne kemi në dispozicion”, tha trajneri katalanas, ndërsa konfirmoi se ka një plan për dy ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.

“Unë kam një plan për Junajtidin dhe një për Interin. Ato duhet t’i përgatisim ndryshe. Më duhet të shoh se sa lojtarë do të kem në dispozicion dhe nëse ata janë në formë. Pasi pashë skuadrën e Junajtidit kundër Çelsit, jam me të vërtetë i befasuar. Do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Në eksperiencën time, mënyra më e mirë për ta përgatitur një finale është që të shkëputesh sa më shumë që të jetë e mundur. Edhe fizioterapistët dhe kuzhinierët tanë duhet të shkëputen. Ata janë këtu duke punuar për 10 orë dhe është një periudhë stresuese. Prandaj ne duhet që të dalim me familjet tona, të luajmë golf ose bëjmë çfarë na pëlqen. Duhet të stërvitemi pak gjithashtu, por do të bëjmë ekzaktësisht atë që kemi bërë për finalen. Unë do të shkoj me familjen time, nuk do ta harroj futbollin, por do të shkëputem me familjen, do të shkojmë në disa restorante të mira”.

SHANSI I JETËS – 52- vjeçari tregoi edhe qasjen e tij ndaj finaleve dhe karikoi lojtarët e tij për tripletën: “Tani duhet të qetësojmë mendjet sa më shumë që të jetë e mundur dhe të ruajmë nivelin e ndeshjeve tona. Prandaj ndeshjet me Brajtonin dhe kjo me Brentfordin do të na ndihmojnë për këtë. Ne do të stërvitemi për 30 apo 45 minuta dhe pastaj kemi ndeshjet. Lojtarët e dinë se në çfarë pozicioni janë për tripletën. Ajo është një mundësi që të vjen vetëm një herë në jetë. Vijmë si kampionë të Premier Ligës tri ndeshje përpara fundit dhe luajmë dy finale. Duhet të jetë i qetë, ta shijosh dhe të bësh më të mirën. Askush nuk mund të jetë i sigurt se do të jetë sërish në këtë pozicion”.

ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"