Guardiola e pranon: Në histori hyjmë me Champions-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2023 | 17:00

Guardiola e pranon: Në histori hyjmë me Champions-in

Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, e ka përshkruar arritjen e skuadrës së tij si të jashtëzakonshme, e cila fitoi titullin e pestë në 6 vitet e fundit, por e pranoi se ata duhet të fitojnë Ligën e Kampioneve për t’u renditur mes klubeve më të mëdha të historisë.Guardiola5

Humbja e Arsenalit me Notingem Forestin të shtunën i siguroi matematikisht titullin e tretë radhazi kampion “qytetarëve”, të cilët e festuan atë me fitoren e 12-të radhazi në kampionat kundër Çelsit (1-0) një ditë më pas. Siti është në garë për të fituar tripletën këtë sezon, ndërsa është në finalen e Ligës së Kampioneve më 10 qershor kundër Interit në Stamboll dhe atë të Kupës FA kundër Junajtidit në “Wembley” më 3 qershor.

Por Pep, i cili e ka fituar trofeun që i mungon Sitit në palmares 2 herë me Barcelonën, tha: “Është titulli i pestë në 6 vitet e fundit, i shtati në 12 vite dhe unë nuk e kisha imagjinuar se do të fitonim 5 tituj në 6 vitet e fundit. Kam ndjesinë se kemi bërë diçka të jashtëzakonshme. Njerëzit e dinë se sa e veçantë është. Por që të konsiderohesh një prej skuadrave më të mëdha ne duhet të fitojmë Champions-in, përndryshe është e paplotë. Ti duhet të fitosh në Europë, Ligën e Kampioneve, për t’u konsideruar një prej skuadrave më të mira, si Mançester Junajtidi apo Liverpuli. Por është gjithashtu e padrejtë që të thuash se nëse nuk e fiton atë, atëherë Premier Liga nuk ka kuptim.

Sigurisht që ka kuptim dhe është e rëndësishme. Luhet çdo ditë, çdo javë. Ky klub ka fituar pesë nga 6 tituj e fundit dhe është e mrekullueshme. Nuk është e drejtë që duhet të fitosh Ligën e Kampioneve për të vlerësuar atë që ke bërë, por ne duhet ta pranojmë. Shumë kohë më parë, njerëzit nuk thanë se unë duhet të vija këtu për të fituar Champions-in, por pas asaj që kemi bërë, unë e di që nuk do të konsiderohet e plotë në rast se ne nuk fitojmë Champions-in. Por ndonjëherë presioni të ndihmon dhe ne e kemi diskutuar këtë. Herët a vonë do ta fitojmë, por ne jemi atje për ta provuar”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"