Guardiola: Atletiko si Juvja, thyejmë me zemër betonin e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2016 | 11:48

Guardiola: Atletiko si Juvja, thyejmë me zemër betonin e radhës

Trajneri i Bajernit, Pep Guardiola, e njeh shumë mirë rivalin në gjysmëfinale të Champions-it. guardiolaGjatë konferencës për shtyp para duelit me Shalken në kampionat, strategu spanjoll analizon me hollësi Atletiko Madridin.

Pep, Atletiko hoqi qafe Barcelonën. Keni një shpjegim?

Vazhdoj të jem i mendimit që Barcelona është ekipi më i mirë në Europë, edhe pse u skualifikuan. Ata kanë Mesin, më të mirin në botë, por në një apo dy takime mund të ndodhë gjithçka, Atletiko nuk ka fituar me vite ndaj Realit. Sapo erdhi Simeone u transformuan.

A ishte Atletiko rivali më i fortë në short?

Çdo rival kishte vështirësitë e veta. Flitet gjithnjë mbi Realin dhe Barçën, por në pesë vitet e fundit Atletiko po i rivalizon seriozisht. Para dy vitesh fituan titullin në Spanjë dhe arritën në finale të 2014-ës. Atletiko është në një nivel me Realin dhe Barcelonën. Ata skualifikuan Barçën dy herë nga çerekfinalet në tre vitet e fundit. Ne kemi luajtur edhe ndaj Juventusit, një prej mbrojtjeve më të mira në botë. Na duhet sërish të çajmë betonin e radhës dhe më duhen shëndoshë e mirë të gjithë lojtarët. Do t’u tregoj gjithçka lojtarëve të mi. Na duhen 180 minuta të zjarrta për t’ia dalë mbanë. Ekipi ka një zemër të madhe dhe Bajerni ka një qëllim madhor këtë sezon.

E shihni si favor faktin që ndeshjen e dytë e zhvilloni në Mynih?

Gjithmonë është më mirë, por jo vendimtare.

Çfarë mund t’u mësoni lojtarëve mbi atmosferën në Madrid?

Në “Visente Kalderon” mbizotëron ndoshta atmosfera më e mirë në Europë. Jam shumë kurioz për këtë duel. Edhe atmosfera në Lisbonë pas disavantazhit i surprizoi lojtarët e mi. Në Madrid do luajnë për herë të parë ndaj Atletikos dhe ka për të qenë mjaft interesante për ta.

Si e njihni ju Diego Simeonen?

Nuk kam luajtur apo stërvitur me të. Prandaj nuk e njoh mirë. Në jetën time mund të kem biseduar një ose dy herë. Ai ka shumë vetëbesim. Lojtarët luajnë sipas karakterit të tij. Kur ata luajnë mirë, fitojnë gjithmonë. Edhe kur nuk luajnë mirë, nuk i prishin balancat.

Mendoni se kanë mbrojtje më të mirë se Bajerni?

Edhe Bajerni nuk ka pësuar shumë gola. Por, ata janë mirë, si Juventusi. Luajnë me presing, mbrohen thellë dhe janë kompakt. Në krosime Godin është vrasës, por kanë edhe një portier të mirë si Oblak. Janë shumë të strukturuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"