Grushtet në basket pas Partizani-Teuta, trajneri Lazimi denoncon Babasulin: Më goditi pabesisht, gjithçka nisi nga arbitrimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2021 | 0:35

Grushtet në basket pas Partizani-Teuta, trajneri Lazimi denoncon Babasulin: Më goditi pabesisht, gjithçka nisi nga arbitrimi

Ndeshja e djeshme Partizani-Teuta, e vlefshme e javën e nëntë të Superligës në basketboll për meshkuj, është mbyllur me kaos dhe sherr në parket. Partizani fitoi me rezultatin 74-71 (18-14, 28-15, 19-17, 13-21), por gjithçka kaloi në plan të dytë për shkak të incidentit të ndodhur në “Asllan Rusi”.

lazimi

Në fund të ndeshjes trajneri i Teutës, Melzin Lazimi, është goditur nga lojtari i Partizanit Arbër Babasuli. Tekniku i bregdetarëve ka bërë denoncim në polici për këtë incident. Ngjarje vërtet të shëmtuara që nuk kanë asnjë lidhje me sportin, por që fatkeqësisht po i shikojmë edhe në vitin 2021. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Melzin Lazimi ka dhënë versionin e tij për skenat e turpshme që ndodhën mbrëmjen e djeshme në basketbollin shqiptar, ndërsa e lidh gjithçka me arbitrimin.

“Dua ta nis fillimisht me situatën e ndeshjes, e cila ishte komplet e iniciuar nga arbitrat, të cilët lejuan lojën e dhunshme të Partizanit gjatë gjithë 40 minutave. Gjatë gjithë takimit kundërshtari ka luajtur dhunshëm ndaj nesh, duke shkaktuar në vazhdimësi faulle, të cilat nuk sinjalizoheshin nga arbitrat. Ne jemi në vend të parë dhe mundemi nga skuadra e vendit të fundit, në një ndeshje që ka shumë precedent brenda saj. Sigurisht që për të fituar skuadra e vendit të fundit në një takim ku disniveli mes ekipeve është shumë i madh, pa diskutim që duhet të kenë një ndikim të jashtëzakonshëm arbitrat”, shprehet Lazimi, i cili më tej ndalet tek incidenti:

Trajneri Melzin Lazimi

Trajneri Melzin Lazimi

“E gjithë situata përshkallëzoi nga arbitrimi amatoresk dhe i njëanshëm. Në përfundim të ndeshjes emocionet ishin të forta nga të dyja skuadrat, ku pati shkëmbim fjalësh mes lojtarëve. Në këtë situatë, në detyrën si trajner jam futur për të tërhequr skuadrën time nga konfrontimet që mund të përshkallëzoheshin. Në momentin kur po tërhiqja një nga lojtarët e mi, komplet në pabesi më ka goditur lojtari i Partizanit, Arbër Babasuli. Skuadra ime nuk ka treguar për asnjë moment shenja të mungesës së ‘fair play’-t dhe nuk ka qenë iniciatore e asnjë konflikti”, shprehet trajneri, i cili thotë se për këtë ngjarje menjëherë kë bërë denoncim në polici:

“Sigurisht që kam bërë kallëzim në polici dhe do ta ndjek në rrugë ligjore, në mënyrë që personi në fjalë të ndëshkohet sipas ligjit. Kjo është herë e parë që përballem me një situatë të tillë. Si trajner jam munduar gjithmonë që të përcjell te lojtarët vlerat sportive të ‘fair play’-t”. Në fund Lazimi evidentoi edhe një herë kushtet e vështira dhe mungesën e sigurisë: “Në sallë mungonin forcat e sigurisë. U luajt në temperatura shumë të ulëta, pra një takim që ndoshta as nuk duhej të zhvillohej, me arbitra të nivelit amator, të cilët lanë një lojë të dhunshme dhe në mënyrë krejtësisht të njëanshme favorizuan pa diskutim Partizanin për të arritur fitoren. Ky është një inskenim që vjen në prag të finales së Superkupës në dëm të Teutës”, përfundoi tekniku i ekipit durrsak.

NDESHJET E TJERA – Kjo javë u shënua nga rezultate surprizë, teksa në të gjitha sfidat u regjistruan fitore nga skuadrat që nuk konsideroheshin favorite në letër. Kështu, vetëm disa ditë pasi ishte mundur në Ligën Unike, Kamza i kthen reston Tiranës, teksa triumfon me rezultatin e thellë 102-84 (23-26, 25-19, 31-15, 23-24), në sfidën e zhvilluar në palestrën e Bathores. Pas një periode të parë disi më të mirë për bardheblutë, skuadra e Eni Llazanit e bëri diferencën në periodën e dytë dhe të tretë, të cilat rezultuan vendimtare për fatet e takimit.

Ndërkohë, një tjetër rezultat befasues u shënua në Shkodër, aty ku Dinamo mposhti Vllazninë në shifrat 61-70 (16-19, 12-24, 14-13, 19-14). Kjo ishte fitorja e dytë sezonale për blutë, të cilët i përgjigjen kështu suksesit të Partizanit, që është rivali direkt në luftën për mbijetesë. Basketbolli i meshkujve do të ulë siparin e ndeshjeve për vitin 2021 me finale e Superkupës mes Teutës dhe Tiranës, që do të zhvillohet nesër në orën 18:00 në sallën “Farie Hoti”.

A.LLESHAJ/S.NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"