Grupi i limituar sikletos trajnerin e ri të Luftëtarit, klubi përgatit emrat që mund t’u bashkohen gjirokastritëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2020 | 17:52

Grupi i limituar sikletos trajnerin e ri të Luftëtarit, klubi përgatit emrat që mund t’u bashkohen gjirokastritëve

Luftëtari, nën drejtimin e dyshes Jovanoviç-Meçani, vijon përgatitjet për sezonin e ri. Ndryshe nga ditët e para, seancën e djeshme bluzinjtë e zhvilluan te Fusha e Vjetër gjatë paradites. Trajneri serb është “i fiksuar” pas përgatitjes atletiko-fizike. Bashkë me ndihmësin e tij, ai u ndal me lojtarët që ka në dispozicion për shumë minuta në vrapimet e shkurtra, vrapimet e gjata dhe ushtrimet e forcës.
JOVANOVIC
Trajneri Marko Jovanoviç e ndau më pas kontigjentin në dy grupe për të ushtruar lojëra të ndryshme me topin. Shqetësim për të mbetet numri i limituar i lojtarëve dhe këtë problem trajneri ua ka përcjellë drejtuesve. Këta të fundit janë vënë në lëvizje për afrimin e disa lojtarëve me përvojë dhe gazeta mëson se grupit pritet t’i bashkohen disa prej futbollistëve që janë nën kontratë me Luftëtarin, siç janë Erald Hyseni, Rimal Haxhiu, Kliton Qato, Mikel Brahilika, Regild Zeneli, Griseld Lika. Po ashtu, rikthimi i lojtarëve vendës të aktivizuar në ekipet e Qarkut të Gjirokastrës shihet si një mundësi për plotësimin e skuadrës. Seldjon Zholi, Xhosi Lamaj, Rivaldo Bakaj dhe Darli Hysaj janë katër lojtarët që mund të afrohen te bluzinjtë.

DEKORIMET – E enjtja ishte një ditë e veçantë në Dervician të Gjirokastrës. Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, ka dekoruar tri nga figurat e njohura të Dropullit. Ai dekoroi pas vdekjes legjendën e Luftëtarit, Partizanit dhe Kombëtares, Lefter Millon, i cili më 7 mars 1997 u nda nga jeta pas një aksidenti automobilistik në Greqi. Presidenti Meta e nderoi Millon me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Me “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” u nderua volejbollisti Kristo Ndriço, ndërsa gazetari Sokrat Papadhopulli me titullin “Merita të Veçanta në Jetën Civile”.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"