“Grupi i Jugut si Superiore B”, administratori Ajazi: Tomori, pretendent për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2020 | 22:59

“Grupi i Jugut si Superiore B”, administratori Ajazi: Tomori, pretendent për elitën

Në klubin e Tomorit ky fillim muaji pritet që të jetë vërtet me një frymë aksioni, për sa i përket ngarkesës në punë si dhe riorganizimit të skuadrës. Në prag të edicionit të ri, që do t’i shohë beratasit në Kategorinë e Parë, është prononcuar edhe administratori i klubit, Ismet Ajazi, i cili bën të ditur se Tomori do të jetë pretendent për t’u ngjitur në Superiore.

Tomori-2

“Sezoni i ri do të jetë shumë interesant në të gjitha pikëpamjet, sepse do të ketë interesim të lartë dhe rivalitet të tillë gjithashtu. Aq më shumë kur grupi i Jugut ku do të bëjmë pjesë edhe ne, s’ka dyshim që do të ketë një garë të ndezur, pasi Tomori, Luftëtari ose Flamurtari, Lushnja, Besa dhe Elbasani, apo qoftë edhe Dinamo, janë një garanci e sigurt për një kampionat sa më intrigues”, deklaron Ajazi, i cili më pas shton: “Unë them se grupi i Jugut është me plot gojën një Superiore B ose një aneks i saj.

Kjo na vendos edhe ne si klub në pozita të forta pune. Së shpejti do të organizojmë asamblenë e futbollit ku do të vendosim piketat e punës sonë për kampionatin e ri. Për një gjë dua ta siguroj opinionin futbolldashës beratas, se do të organizohemi në mënyrë të atillë që Tomori në kampionatin e ri të jetë në nivelin e skuadrave pretendente për në Superiore. Këtë besim dhe garanci e kemi për shkak të mbështetjes financiare që do kemi nga bashkia dhe një grup donatorësh të fuqishëm”, përfundoi Ajazi.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"