Grup me 20 veta, Duro ka vendosur për lojtarët në provë: Ja plani im për Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2022 | 21:25

Grup me 20 veta, Duro ka vendosur për lojtarët në provë: Ja plani im për Lushnjën

Lushnjarët kanë hyrë në javën e tretë të fazës përgatitore për sezonin e ri futbollistik. Që nga e hëna e 18 korrikut verdhejeshilët stërviten nën drejtimin e trajnerit, Klodian Duro, në fushën sportive të Plugut, 3 km në veriperëndim të Lushnjës. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, tekniku i lushnjarëve ka bërë skanerin e punës së kryer deri tani, si dhe pritshmëritë në merkato, si dhe synimet që kanë në sezonin e ri.

lushnja duro

“Po punojmë shumë dhe në mënyrë intensive përditë. Kemi hyrë në javën e tretë të përgatitjeve tona, ku kemi vazhduar me ritëm shumë të lartë. Jam shumë i kënaqur me impenjimin e të gjithë futbollistëve, që nga ata me më shumë eksperiencë deri te më të rinjtë. Normalisht, në dy javët e para, pamë kontigjentin e plotë, mbi të gjitha të lushnjarëve.

Prej dy javësh i kemi futur të gjithë në ‘sitë’ dhe i kemi parë nga të gjitha aspektet për të krijuar dhe për të mbajtur grupin më të mirë të mundshëm, në mënyrë që të përballojmë gjithë sezonin. Një kampionat që këtë herë do të jetë ndryshe, por do të punojmë në mënyrën më profesioniste të mundshme për ta rikthyer Lushnjën aty ku i takon, në majën e klasifikimit. Pastaj, nga hapi në hap të shohim për ringjitjen dhe rikthimin në Superiore. Në këtë javë të tretë kemi bërë edhe ne seleksionimet tona, pasi në ekip kishim shumë veta, ndaj kemi bërë gjithë rregullimet.

Duro

Kemi mbajtur një grup prej rreth 20 futbollistësh, nga më të vjetrit që kanë qenë pjesë e Lushnjën vitin e kaluar. Por kemi afruar edhe shumë të rinj, që përditë janë bërë pjesë e grupit tonë. Deri tani jemi në këtë fazë me një stërvitje shumë intensive, shumë të plotë. Sot (dje), janë larguar edhe shumë futbollistë, që ishin në provë dhe që i pamë me kujdes.

Rreth 10 futbollistë janë stërvitur shumë mirë dhe mund ta vazhdojnë karrierën në çdo klub të mundshëm. Unë jam shumë i kënaqur nga ky grup futbollistësh, që kam sot. Kështu, do të vazhdojmë deri në fund të javës. Paralel me këtë, në planin tonë kemi zhvillimin e fazës përgatitore. Mendojmë, që nga e hëna të sistemohemi rreth 12 ditë duke bërë që faza jonë të jetë më e plotë”, deklaroi trajneri i Lushnjës Klodian Duro.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"