Gruda dhe dedikimi special: Goli për xhaxhain, Teuta do të mbrojë titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2021 | 22:36

Gruda dhe dedikimi special: Goli për xhaxhain, Teuta do të mbrojë titullin

Sulmuesi i talentuar i Teutës, Ildi Gruda, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka komentuar ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, garën për titullin, emocionet e golit në një finale dhe gjithashtu është shprehur se Teuta në sezonin e ri do të jetë më konkurruese dhe e denjë për të shkuar drejt kampionatit. Në fjalën e tij, ai shprehet se koha do të vërtetojë çdo gjë. Gruda ka edhe një dedikim special për golin e Superkupës.

ildi gruda

Si kanë qenë ditët post-Vllaznia, pasi shënuat një gol që mbylli llogaritë e ndeshjes?
Është një gol në fillim të sezonit dhe më jep më shumë motivim e besim për vazhdimësinë. Kam marrë shumë urime dhe shpresoj të vazhdoj të shënoj gola edhe në kampionat.

Jeni i emocionuar për këtë nisje kaq të mirë të sezonit?
Fokusi është i madh te kampionati dhe motivimi është shumë i madh, nuk mendoj se ka vend për emocione tashmë.

Ishte fitorja ndaj Vllaznisë një përgjigje për ata që nuk besonin te Teuta?
Ne bëme detyrën që ishte të fitonim trofeun. Nuk kemi pse t’ia mbushim mendjen askujt për forcën e ekipit tonë, ne e dimë forcën dhe kemi besim vetëm tek ekipi ynë. Kjo mendoj se është me e rëndësishmja.

Cilat janë planet tuaja me skuadrën?
Planet janë të arrijmë objektivat të gjithë bashkë dhe gjithashtu të bëj sa më mirë edhe nga ana individuale që të ndihmoj ekipin.

Cili është objektivi i Teutës për sezonin e ri?
Mendoj se për kualitetet që ka ekipi brenda dhe mënyrën se si sillemi në çdo ditë të stërvitjes, objektivi është të përsërisim atë që bëmë vitin e kaluar.

Tashmë fokusi është te sezoni i ri dhe ndeshjen e parë e luani përballë Partizanit. Çfarë starti prisni?
Normalisht luajmë përballë një nga skuadrave më të forta të kampionatit dhe vlerësimi si gjithmonë do të jetë maksimal që ta nisim kampionatin me këmbën e mbarë.

Është gati Teuta të mbrojë titullin e fituar sezonin e kaluar?
Synimi dhe dëshira janë të mëdha. Grupi është i formuar me lojtarë nga më të mirët në vend dhe besoj se Teuta i ka të gjitha mundësitë, por do t’ia lëmë kohës të flasë për gjithçka.

Kujt ia dedikoni golin?
Golin ia dedikoj xhaxhait tim Aziz Gruda, që ndërroi jetë para pak javësh.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"