Gripshi: Në shtëpi i marrim ndeshje lehtë, goli ishte për Muzakën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 11:52

Gripshi: Në shtëpi i marrim ndeshje lehtë, goli ishte për Muzakën

Skënderbeu kthehet me fitore nga Ballshi. Një trepikësh me vlera për korçarët, në këtë ndalesë të kampionatit që do të mund të punojnë më qetë për javën e ardhshme. Në këtë moment, Nazmi Gripshi duket se është një nga lojtarët më të mirë të momentit për Skënderbeun, si protagonist kryesor në dy ndeshjet e fundit. Megjithatë, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”,Gripshi tregohet modest kur thotë se rëndësi ka ecuria pozitive e ekipit. 

Gripshi Skenderbeu

Gripshi, jeni njeriu i momentit te Skënderbeu me dy gola në dy ndeshje. Çfarë po ndodh me ju? 

Jam duke kaluar një formë të mirë në këto momente dhe e rëndësishme është që kjo formë po shpërblehet edhe me gola. Le të mos e llogarisim golin me Laçin, pasi atje humbëm. E them këtë, sepse këtë sezon dhe kurdo më e rëndësishme është ekipi dhe ecuria e tij, sesa golat personalë të një lojtari. Gjithsesi, statistikat e golave në ndeshjet e fundit flasin pozitivisht dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu.

Çfarë ndodh me Skënderbeun që humbet brenda dhe fiton jashtë? 

Nuk e di. Ndoshta në ndeshjet që luajmë në shtëpi kemi mungesë përqendrimi dhe deri diku i marrim ndeshjet më lehtë seç duhet. Është kjo ajo që ne duhet të rregullojmë për në vijim, pasi kemi treguar se mund të fitojmë me cilindo ekip dhe është thjesht çështje interpretimi dhe përqendrimi.

Gripshi GOli

Një ekip shumë i ri në moshë dhe pa eksperiencë. A është ky problem kryesor te Skënderbeu?

Pa dyshim që mungesa e lojtarëve me eksperiencë ndikon mjaft te paraqitja jonë në fushë. Jemi një grup me lojtarë të rinj dhe me shumë ndryshime nga sezoni i kaluar. Ne kemi treguar se cilësia nuk na mungon dhe normalisht që nëse kjo cilësi miksohet me eksperiencën, atëherë edhe rezultatet janë më të mira.

Pas shënimit të golit me Bylisin keni marrë si dhuratë shpulla nga Daja dhe Liçi. A mund të na zbuloni ndonjë batutë? 

Jo të them të drejtën, gëzimi pas golit të fitores ishte në majë për të gjithë ne dhe kjo na bëri që të festojmë mjaft për atë moment. Ndoshta ka qenë në njëfarë mënyre shprehje e gëzimit për golin e fitores dhe të dy profesorët e kanë gjetur në këtë mënyrë të festojnë. Nuk ka pasur asnjë batutë, pasi nuk i kam ngacmuar, thjesht kemi festuar fitoren.

Pellumbi-Gripshi-Pollozhani

 Si ndihet Gripshi me Bregun dhe Krasniqin në sulm? 

Kemi dy sezone që luajmë bashkë dhe normalisht jemi mirë me njëri-tjetrin. Kemi shumë për të përmirësuar dhe duhet të rritemi më shumë jo vetëm ne, por të gjithë si ekip. Kjo fitore e fundit do të na ndihmojë mjaft pasi na jep mundësinë të përgatitemi më qetësisht në ndeshjet e radhës në këto ditë pushimi të kampionatit.

Gripshi, numri 10 që mbani mbi supe është një fanellë e rëndë? 

Pa dyshim që te Skënderbeu pesha e kësaj fanelle është e madhe, pasi e ka mbajtur për shumë kohë kapiteni Shkëmbi që ka dhënë kaq shumë për Korçën. Por unë gjithmonë kam pasur këtë numër që në fillimet e mia. Prandaj them se jam në kohën e duhur dhe në momentin e duhur këtu.

Së fundmi kthehemi te goli, kujt ia dedikoni?

Patjetër kapitenit Gjergj Muzaka. Ai është operuar një ditë më parë dhe me këtë gol dua t’i them shërim të shpejtë dhe të kthehet sa më shpejt pranë ekipit.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"