Gripshi flet si durrsak: Dua një stadium plot në Teuta-Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2019 | 21:08

Gripshi flet si durrsak: Dua një stadium plot në Teuta-Skënderbeu

Skënderbeu është gati për ndeshjen e së dielës kundër Teutës në kampionat. Pranohet nga të gjithë se është një sfidë delikate dhe e vështirë për bardhekuqtë, që gjithsesi do të kërkojnë rezultat pozitiv për të vijuar ecurinë e mirë në këtë sezon. 

Gripshi Skenderbeu

Për Nazmi Gripshin, pavarësisht situatës së krijuar së fundmi në vend, është një takim i cili duhet vlerësuar në maksimum. Numri 10 i Skënderbeut ka edhe një apel për tifozët, që të mbushin stadiumin në këtë takim, duke parë nismën e klubit durrsak që të ardhurat do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti.

Gripshi, pas një jave pushimi rikthehet kampionati. Të qetë për të menduar për futbollin tani?

Po, sigurisht, ajo që ndodhi në 26 nëntor ishte një ngarkesë e madhe psikologjike për të gjithë dhe ishte më e udhës që të bëhej ky pushim, pasi vendi ishte i prekur nga tërmeti që goditi më së shumti Durrësin. Besoj se tani është koha e duhur për t’u kthyer te futbolli i luajtur dhe për të menduar për vijimin e sezonit.

Personalisht si e përjetuat atë moment? 

Ka qenë e vështirë, ashtu si për të gjithë, pasi edhe në Korçë është ndierë. Unë fola me familjen time menjëherë pasi pashë çfarë kishte ndodhur. Shkova atje dhe për fat të mirë nuk kishte asnjë dëmtim nga tërmeti, as banesa.

Do të keni përballë Teutën në këtë takim. Si e prisni këtë ndeshje? 

Kemi rival një ekip, i cili më shumë se kushdo, është i tronditur nga ai tërmet. Shpresoj që ta kenë kaluar atë situatë dhe të jenë në gjendje të mirë psikologjike për të përballuar këtë takim. Këtë e them edhe në të mirë të futbollit, por edhe për ekipin e Teutës.

Skënderbeu, nga ana e tij, e konsideron një ndeshje të vështirë. Pse? 

Padyshim që është një ndeshje e vështirë, pasi Teuta ka cilësi. Plus kësaj, duhet thënë se ky sezon nuk ka ndeshje të vështira dhe ndeshje të lehta. Të gjitha janë mjaft të vështira dhe duan përqendrim të madh. Ne duhet të jemi të përqendruar në këtë takim dhe të japim më të mirën tonë.

Do të ishit i kënaqur edhe me një pikë në këto kushte? 

Jo, nuk mund të themi se do të shkojmë atje për të marrë një pikë. Ne do të nisemi si gjithmonë për të dhënë më të mirën dhe për të kërkuar maksimumin. Ashtu siç bëjmë në çdo ndeshje. Më pas, do të shohim se çfarë do të mund të marrim nga ky takim. Por e rëndësishme është që të japim më të mirën tonë, për të vijuar me rezultatet pozitive.

A keni një mesazh për këtë takim? 

Po, patjetër që po. Në këtë ndeshje do të doja një stadium të mbushur në të gjithë kapacitetin e vet. Duke parë situatën, nuk u bëj thirrje vetëm durrsakëve dhe tifozëve të Teutës, por të gjithë atyre që kanë mundësi. Teuta ka një nismë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, le ta ndihmojmë të gjithë së bashku duke mbushur stadiumin.

Në merkato ka shumë zëra për ty. Si qëndron e vërteta? 

Për momentin nuk mund të them asgjë, pasi nuk jam në dijeni të negociatave konkrete. E di që ka zëra, por është klubi ai që po mendon për më të mirën. Unë jam i qetë nga ana ime dhe i përqendruar për të dhënë maksimumin në këtë takim, ashtu siç kam bërë gjithmonë.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"