Grezda: Pres ftesën e Shqipërisë, e kam refuzuar dy herë Maqedoninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2015 | 13:20

Grezda: Pres ftesën e Shqipërisë, e kam refuzuar dy herë Maqedoninë

grezdaNga gushti i këtij viti një tjetër talent shqiptar po shkëlqen në Kroaci. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese, Eros Grezda, i cili është pjesë e Lokomotivës së Zagrebit dhe në 12 ndeshje ka arritur të shënojë tre gola. Mediat kroate po flasin gjithnjë e më tepër për 20- vjeçarin, i cili një javë më parë realizoi në sfidën kundër Dinamos së Zagrebit. Grezda ka lindur në Gjakovë dhe deri më tani nuk ka luajtur me asnjë prej Kombëtareve (Kosova ose Shqipëria). Në tetor të vitit të kaluar është grumbulluar për herë të parë nga ish-trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Skënder Gega, në miqësoren ndaj Rumanisë, por pa mundur të aktivizohet me fanellën kuqezi.

Tashmë Grezda pret ftesën e Redi Jupit, në një kohë që Maqedonia po insiston ta bindë për ta marrë në Kombëtaren e madhe. Dje, në një intervistë për “Panorama Sport”, talenti kosovar tregon se ka lënë gjithçka pezull me Maqedoninë, pasi kërkon që të veshë fanellën e kombit të tij.

Eros, po shkëlqeni në Kroaci gjatë këtij sezoni, ndërsa jeni pak i njohur për opinionin sportiv shqiptar. Na tregoni pak, si ka shkuar karriera juaj përpara se të bëheshit pjesë e Lokomotivës së Zagrebit?

Së pari, më duhet të sqaroj se kam lindur në Gjakovë dhe kam vetëm nënshtetësi kosovare. Futbollin e kam filluar 9 vjeç në Prishtinë, aty ku qëndrova deri në moshën 15- vjeçare. Më pas kalova me ekipin e parë të Rabotniçkit në Maqedoni. Në vitin 2010 u bë një turne në Shkup dhe mora ftese nga disa skautë të Dinamos së Zagrebit. Shkova në provë dhe qëndrova një vit te Dinamo e Zagrebit, duke luajtur me ekipin U-17.

Përse u larguat nga Dinamo e Zagrebit?

Kur nuk kisha mbushur ende 17 vjeç, me ndihmën e menaxherit tim, Adrian Aliaj, shkova në Austri, pasi pata një ofertë shumë të mirë. Bëhet fjalë për klubin GAK Graz, ku nënshkrova 3 vjet. Mirëpo, isha i pafat, sepse ky klub falimentoi. Megjithatë, trajneri Ante Simunzda, më mori me vete në Slloveni.

Në Slloveni jeni afirmuar si futbollist?

Po, aty qëndrova 2 vite. Fillimisht për një sezon e gjysmë luajta me Aluminij, ndërsa më pas për 6 muaj me Zavrc. Nuk zgjati shumë aventura në Slloveni, pasi u transferova te Lokomotiva e Zagrebit, një ekip ku bën pjesë edhe lojtari i Kombëtares U-21, Herdi Prenga. Jam ambientuar mirë këtu, pasi është një klub shumë serioz.

Lokomotiva do të jetë si trampolinë për ju?

Për momentin jam i lumtur, pasi luaj në një ligë të fortë si ajo kroate, që ndiqet shumë. Te Lokomotiva kam bërë një hap të mire për karrierën time. Për momentin, synimet e mia janë që të luaj sa më mirë dhe të shënoj gola, pastaj do të shohim sesi do të rrjedhin gjërat. Lokomotiva kërkon të jetë në Ligën e Europës dhe sigurisht kjo skuadër do të më shërbejë si një trampolinë e mirë.

Cili është pozicioni juaj natyral dhe kush ju frymëzon në futboll?

Pozicioni im është mesfushor krahu. Më shumë jam një sulmues krahu, por që mund të aktivizohem prapa sulmuesit. Frymëzimi në futboll është Kristiano Ronaldo. Ai mund të mos jetë më i miri në botë, por definitivisht është lojtari më punëtor dhe shembull për të rinjtë.

Ju kanë kontaktuar nga përfaqësues të FSHF-së për t’u bërë pjesë të Kombëtares?

Gjatë vitit të kaluar, në miqësoren që Kombëtarja U-21 zhvilloi me Rumaninë, u grumbullova nga trajneri Gega. Që prej asaj ndeshjeje nuk kam marrë asnjëherë ftesë.

Tashmë çfarë prisni, mendoni se e meritoni të grumbulloheni me Shqipërinë?

Së pari, unë pres një thirrje nga trajneri Redi Jupi, pasi jam ende i ri për Kombëtaren e madhe. Megjithatë, kurrë nuk i dihet, pasi kjo varet nga De Biazi dhe paraqitjet e mia në Kroaci.

Nëse Shqipëria nuk ju grumbullon as me U-21, çfarë do të bëni?

Dëshira ime është të përfaqësoj kombin tim dhe natyrisht jam duke pritur një thirrje nga Shqipëria. Mirëpo, së fundmi, duke parë paraqitjet e mia në Kroaci, kam marrë zyrtarisht dy herë ftesë nga Kombëtarja e Maqedonisë.

Bëhet fjalë për Maqedoninë U- 21 apo Kombëtaren A të këtij shteti?

Për Kombëtaren A të Maqedonisë.

Çfarë përgjigje u keni dhënë?

E kam lënë çështjen e hapur, sepse pres Shqipërinë.

Intervistoi: Jorgis Memo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"