Gramozi nuk e diskuton fitoren ndaj Delvinës, Orikumi i Sakajt kërkon të surprizojë Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2017 | 14:54

Gramozi nuk e diskuton fitoren ndaj Delvinës, Orikumi i Sakajt kërkon të surprizojë Elbasanin

ORIKUMI

Mbrojtësi i majtë i Orikumit, Renaldo Azizi, është i bindur se skuadra do arrijë të fitojë në ndeshjen e radhës që do të luajë në transfertën e Elbasanit. Një sfidë mes dy ekipeve pretendente për ngjitjen. “Skuadra po stërvitet në mënyrën e duhur në drejtimin e trajnerit Artan Sakaj, i cili po punon me përkushtim për të çuar lart emrin e Orikumit.

Orikumi

Të shtunën do të luajmë me Elbasanin, një skuadër me emër të madh në futbollin tonë. Ne do të nisemi për tri pikë në Elbasan. Atë që nuk arritëm ta realizonim një sezon më parë në ‘Elbasan Arena’ në play-off me Tërbunin, besoj se do ta arrijmë të shtunën”, tha Azizi. /Olsen Llambro/

SKRAPARI

Te Skrapari, barazimi në ndeshjen e fundit, edhe pse ishte rezultati i parë pozitiv në gjashtë javët e para të kampionatit, është cilësuar si një hap i gabuar. Sipas sekretarit të klubit Genci Lamçe, skuadra meritonte më shumë se barazimi.

“Edhe pse ishte rezultati i parë pozitiv në këtë kampionat, barazimi ndaj Tepelenës na la të pakënaqur, ku me pak kujdes mund të kishte marrë pikët e plota.

Mendoj se skuadra meritonte më shumë ku, gjithsesi, në përfundim duhet të pranojmë rezultatin. Megjithatë, na duhet për të menduar për ndeshjet e ardhshme. Besoj se skuadra i ka të gjitha mundësitë të fitojë”, deklaroi Lamçe. /Arben Çepani/

ALBPETROLI

Patosarakët nuk i kanë ndërprerë në asnjë moment seancat stërvitore për ndeshjen e radhës që do të luajnë në transfertë ndaj Përmetit. Mesfushori patosarak Behar Balla për “Panorama Sport” thotë: “Kemi një ndeshje që duket e lehtë nga pozicioni i renditjes. Por, në të vërtetë, ekipi i Përmetit është një kundërshtar i vështirë.

Albpetroli

Ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë takim. Por, synimi ynë është që ta fitojmë këtë ndeshje. Kjo na jep mundësinë të ngjitemi në tabelën e renditjes për të vazhduar me rezultate pozitive dhe të arrijmë tek objektivi që kemi si skuadër për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë”, ka thënë Balla. /Amarildo Gropa/

GRAMOZI

Humbja e fundit me Orikumin tashmë është harruar në kampin kolonjar. Skuadra është përqendruar në takimin e së dielës ndaj Delvinës, tepër i rëndësishëm për vazhdimësinë e kolonjarëve. Për këtë takim, trajneri Qirjako është duke punuar fort me të tijtë. Vetëm marrja e 3 pikëve ndaj skuadrës së Delvinës mund t’u kthejë qetësinë e humbur.

Gramozi

Të paktën, kështu kërkon ta cilësojë takimin e radhës trajneri i kolonjarëve Ilir Qirjako. Vetë trajneri u ka kërkuar lojtarëve që ka në dispozicion ta vlerësojnë në maksimum këtë 90- minutësh, i cili duhet me patjetër të shpërblehet vetëm me fitore. /Koço Lilo/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"