Gramozi në kërkim të një sponsori, Veleçiku përforcohet me futbollistë nga Akademia e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2017 | 15:24

Gramozi në kërkim të një sponsori, Veleçiku përforcohet me futbollistë nga Akademia e Vllaznisë

MAMURRASI

Vetëm pak ditë nga krijimi i ekipit të Mamurrasit me djem të rinj të ardhur nga skuadra e të rinjve të Laçit, ekipi nuk ka mundur të përballojë furinë e futbollistëve korçarë. “Eksperienca e tyre ishte shumë më lart nga kjo e grupit të të rinjve nga Mamurrasi”, ka thënë Klajdi Hysa, i cili në mungesë të një tekniku të mirëfilltë, ka drejtuar nga pankina ekipin mamurrsak.

Skenderbeu-Mamurrasi

“Grumbullimi i ekipit prej vetëm dy ditësh është pak për të njohur lojtarët dhe pozicionin e tyre, ndaj ishte shumë e vështirë të përballohej një ekip me lojtarë profesionistë. Për Mamurrasin mund të quhet arritje krijimi në momentet e fundit të ekipit”, tha Hysa. /Ahmet Zani/

VELEÇIKU

Numri i futbollistëve që stërviten nën urdhrat e trajnerit Besnik Duli ka arritur në 20. Trajneri është i kënaqur me afrimet e reja, që vijnë nga Akademia e Vllaznisë dhe e Veleçikut. Ata luajnë në reparte të ndryshme dhe i janë nënshtruar provës.

Veleciku

Nesër koplikasit do të zhvillojnë një miqësore me U-19 e Vllaznisë që do t’i shërbejë trajnerit Duli për të parë edhe një herë formën e të tijve. Koplikasit duket se kanë ndryshuar shumë nga një sezon më parë. Në kampionatin e kaluar, Veleçiku u paraqit shumë dobët duke u renditur në vendet e fundit. Tashmë, synohet që në sezonin e ri të krijohet një ekip cilësor. /Esat Ymeri/

 

GRAMOZI

Në kampin kolonjar, edhe pse flitet shumë për sponsorë të ndryshëm, kandidatë për president të ekipit, ende nuk ka dalë asnjë emër konkret. Bisedimet pa fund vazhdojnë me kandidatët për këtë post, por përsëri asnjë prej tyre nuk ka shprehur dëshirën për të qenë në krye të klubit. Ata janë treguar të gatshëm për ta ndihmuar ekipin këtë sezon.

Gramozi

Por, të gjithë në Ersekë besojnë se Gramozi këtë sezon do të ketë dhe një president ndryshe nga më parë, kur sponsor i vetëm i ekipit ka qenë vetëm Bashkia Ersekë, e cila nuk ka pasur mundësi për të mbuluar të gjitha shpenzimet e ekipit. Në sezonin e ri do të marrin pjesë edhe ekipet e moshave. /Koço Lilo/

SKRAPARI

Sezoni i ri është vlerësuar seriozisht te Skrapari, ku skuadra vazhdon me intensitet të lartë fazën përgatitore. Por, ndërkohë gjatë kësaj periudhe është punuar dhe në drejtim të përmbushjes së detyrimeve ndaj FSHF-së, si në planin organizativ, ashtu dhe financiar.

Skrapari

Gjendja e stadiumit ku zhvillon ndeshjet zyrtare skuadra është e mirë, ku mund të përballohen pa problem ndeshjet e Kategorisë së Dytë. Mbi të gjitha bie në sy gjendja e mirë e terrenit të lojës. Ndërkohë edhe për sezonin e ri, klubi i Skraparit është treguar korrekt në drejtim të detyrimeve financiare, ashtu si në kampionatet e kaluara. /Arben Çepani/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"