Goxhaj: Me Bylisin do të futemi në histori, 10 javë pa humbje s’janë rastësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 15:51

Goxhaj: Me Bylisin do të futemi në histori, 10 javë pa humbje s’janë rastësi

Largimi nga Tirana duket se i ka ardhur me “porosi” Jurgen Goxhës. Transferimi në Ballsh ka sjellë shpërthimin e tij dhe kjo duket qartë nga minutat që ka marrë. I kthyer në titullar të padiskutueshëm, ka dëshmuar cilësi prej golashënuesi, edhe pse është mbrojtës. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte për 29- vjeçarin.

jurgen goxha bylis

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai ka folur për momentin e mirë që ai kalon te Bylisi, por edhe për ecurinë e skuadrës.

E kishit menduar fitoren në Shkodër, duke parë mungesat e shumta?

Të them të drejtën, po. E kisha menduar, sepse në takimin e parë kemi luajtur në një portë, atë të Vllaznisë, por nuk arritëm të shënonim dhe ia dolëm në ndeshjen e kthimit.

Derisa jeni në vendet e para, a mund të tentoni diçka me shumë se mbijetesa?

Besoj se pikët e mbijetesës i kemi marrë dhe oreksi na është rritur për më lart. Por, asnjëherë nuk i dihet, ndaj le të qëndrojmë me “këmbë në tokë”. Llogaritë më mirë t’i bëjmë pas fazës së dytë. Ne si grup po bëjmë atë që ndoshta rrallë është bërë më parë në Ballsh, edhe pse Bylisi ka qenë dy herë në Europë. Kështu që, pse të mos bëhemi pjesë e historisë së këtij klubi dhe e qytetit.

Jeni skuadra e dytë që shënoni më shumë dhe veç sulmit, edhe mbrojtja ka treguar se ka raporte të mira me golin…

Ne punojmë për të shënuar edhe në stërvitje. Janku është edhe ai një lojtar i fortë në ajër dhe nuhatës në zonë. Gjithashtu, Bicaj është një nga mbrojtësit më të fortë në Superiore dhe me shumë eksperiencë.

Bylis

Këtë javë prisni Skënderbeun, si e prisni këtë kundërshtar?

Nëse e kujtoni, nga Korça nisi rrugëtimi më i bukur për ne. Dhe tani jemi me meritë në krye. Normalisht ka rivalitet, por të mos humbasësh për 10 javë nuk është pak dhe mendoj se rrallë skuadra e bëjnë ndër vite në Superiore. Shpresojmë shumë të ruajmë këtë ritëm e normalisht 3 pikët na bëjnë punë ndaj Skënderbeut.

E kishit menduar që aventura në Ballsh do të ishte kaq perfekte?

Nuk e prisja kështu. Kam luajtur në Lezhë, Shijak e Shënkoll dhe kjo në Ballsh ka njerëz që jetojnë me futbollin. Ndihemi shumë mirë, pasi në rrugë na flasin e na afrojnë. Çdo ditë jemi aty, rrimë bashkë edhe në kafe. Dua të bëj më të mirën derisa më respektojnë të gjithë.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"