Goli tabu për Lushnjen, Gjyla: Kemi lojtarë që kanë lënë të tjerat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 17:53

Goli tabu për Lushnjen, Gjyla: Kemi lojtarë që kanë lënë të tjerat

Asnjë gol në 180 minuta, por te Lushnja ngushëllohen me pikën e marrë. Rastësia bën që kampionatin e kanë nisur me dy ekipe që vijnë nga Kategoria e Dytë, por as Maliqin dhe as Tërbunin nuk i mundën dot.

Ilir Gjyla

Verdhejeshilët luajtën mirë të shtunën, por nuk konkretizuan para portës kundërshtare. Braziliani Hugo da Silva ishte kampioni i rasteve të humbura. Për të skanuar gjithë situatën, mendon Ilir Gjyla. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri mundohet që të shohë të mirat te paraqitja e të tijve, e megjithatë disa kritika i ka.

“Nuk dua të justifikohem, por me Tërbunin luajtëm mirë. E kam thënë që në fillim, që të fitosh dhe të ecësh përpara, duhen lojtarë cilësorë. Duhet një lojtar goli dhe një bosht. Si gjenden të mirët, pyesni ju? Ne kemi lojtarë, që kanë lënë ekipet e tjera. Pa dashur t’i fyej, pasi në fund kemi lojtarë shumë të mirë dhe kjo u pa te të gjithë. Tani do të përpiqemi të dalim te goli.

Ai do të na lirojë. Nëse do të shënonim të shtunën, do të ishim shumë më të lirë. Po ta shikosh nga fundi i takimit, u konsuamuam shumë. Pati edhe lojtarë tek-tuk që u lodhën fizikisht. Por, të bësh gjithë atë konsum, në këto nivele, unë them që loja jonë ishte në nivelin mbi mesatar. Kjo më kënaq, por nuk më kënaq rezultati”, ka deklaruar numri një i pankinës lushnjare.

KORRIGJIMI – Tekniku nënvizoi se do të mundohen të riparojnë shënimin e golit. “Me këtë lojë kaq të mirë, me pasime, me kombinime, në aspektin taktik, patjetër duhet korrigjuar shënjestra. Por, golin nuk e shënoj unë. Unë deri këtu të çoj, nuk e shtyj dot topin në rrjetë. Mosarritja e rezultatit është edhe përgjegjësia ime. Unë bëhem njësh me skuadrën në këtë drejtim. Do të mundohemi të riparojmë finalizimin. Në Korçë ndërrimet nuk e rritën lojën. Pata lojtarë shumë të mirë, por edhe që tek-tuk nuk shkuan mirë”, shtoi Gjyla.

KUNDËRSHTARI – Ai thekson se kishte përballë një kundërshtar cilësor, ndërkohë që po punon me lojtarë që nuk njiheshin para se të vinin te Lushnja. “Ekipet janë po ato. Ne do të dallonim nëse do të kishim bërë ndonjë blerje me lekë. Ne kemi lojtarë që plotësojmë 25-shen. Kemi dy muaj që punojmë dhe kemi sjellë këtë skuadër. Kemi marrë lojtarë një nga ‘Zhymi’, një nga ‘Zharneci’… Nuk është e lehtë ta arrish këtë. Patjetër që Tërbuni ka meritat e veta, na vuri përpara përgjegjësisë. Normal, kur gjithë skuadra shkon përpara, do të bësh gabime, do të harrohesh edhe prapa. Megjithatë, nuk u vumë në momente kritike. Një kundërshtar me lojtarë cilësorë, me Vilfor Hysën brenda. Unë po ju pyes: Para se të vinin te Lushnja, i njihnit këta lojtarë? Atëherë…”, përfundoi Gjyla.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"