Goli një makth, Elbasanin vuan gjithmonë në startin e kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2019 | 20:13

Goli një makth, Elbasanin vuan gjithmonë në startin e kampionatit

Humbja 2-0 e pësuar të shtunën ndaj Besës në “Roza Haxhiu” të Lushnjës ka bërë që verdheblutë të jenë në vend të fundit, me 0 pikë pas 180 minutave të para të këtij kampionati.

Elbasani

Në fakt, ky është një “film” i parë për skuadrën elbasanase, që vitet e fundit, sidomos, nuk e nis ndonjëherë me vrull kampionatin, ku ka luftuar thjesht për mbijetesë në këtë kategori. Sezonin e kaluar verdheblutë nuk morën asnjë pikë në gjashtë ndeshjet e para.

Në javën e shtatë, kur u ndeshën me Lushnjën, ia dolën të merrnin një barazim. Por, ajo që shqetëson më shumë tek Elbasani në këto momente është mungesa e golit, pasi u bënë tri ndeshje radhazi, duke përfshirë edhe atë të Kupës së Shqipërisë me Laçin, që skuadra nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës.

Si për ironi të fatit, verdheblutë edhe nga pika e bardhë e penalltisë nuk u zhbllokuan dot. Hyshmeri humbi një penallti në ndeshjen me Besën dhe gjatë kësaj jave tekniku Shkëlqim Lleshanaku do të mundohet të bëjë më shumë punë me lojtarët në anën ofensive, pasi edhe një tjetër hap fals do t’i rëndonte më shumë pozitat e verdhebluve në tabelën e klasifikimit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"