“Goli ishte ndjesi e veçantë, dua të shënoj edhe të tjerë”, Stenio Zhunior: Besojmë te titulli, për Partizanin ka rëndësi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2021 | 19:37

“Goli ishte ndjesi e veçantë, dua të shënoj edhe të tjerë”, Stenio Zhunior: Besojmë te titulli, për Partizanin ka rëndësi…

Stenio Zhunior arriti të gjejë golin e parë me fanellën e Partizanit. Sulmuesi brazilian hapi serinë e golave për “demat” në fitoren 0-3 kundër Kastriotit, me të kuqtë që morën suksesin e dytë radhazi pas fitores në Ballsh ndaj Bylisit. Zhunior e nisi titullar takimin dhe në minutën e 65- të, arriti të tundë rrjetën nga një distancë e afërt, pas gjuajtjes së brazilianit tjetër, Kordeiro Melo. Pas ndeshjes, Zhunior foli për “Panorama Sport”, ku tregoi ambiciet e tij personale, si dhe tregoi ndjesitë që i dha shënimi i golit të parë me fanellën e kuqe. Ndërsa për titullin kampion këtë sezon, Stenio u shpreh se Partizani do të synojë medoemos fitimin e trofeut, pasi është klubi më i madh në Shqipëri.

zhuniori stenio

Shënuat golin e parë me fanellën e Partizanit. Çfarë ndjesie kishit kur patë topin të shkonte drejt rrjetës?

Është gjithmonë një moment special shënimi i golit të parë me një ekip të ri. Është goli i parë që kam shënuar me fanellën e Partizanit dhe shpresoj të shënoj edhe më shumë, që të vazhdoj të ndihmoj skuadrën të arrijë rezultate pozitive.

Cilat janë objektivat tuaj personalë për këtë sezon?

Objektivi i parë personal është të marr rezultate pozitive me Partizanin, më pas normalisht që dua të kem dhe statistika të mira në aspektin individual. Dua të kemi një eksperiencë të mirë të gjithë si grip dhe gjithmonë do të kërkojmë më të mirën për klubin.

 

Si po ju duket futbolli shqiptar, tani që keni luajtur disa ndeshje në kampionatin tonë?

E kam ndjekur futbollin shqiptar dhe kur luaja në Maqedoni me skuadrën e Shkëndijës. Më pas, fillova të kisha kontakte për të ardhur këtu dhe e dija shumë mirë se si është futbolli në Shqipëri.

Gjatë karrierës suaj keni fituar dy tituj me skuadrën e Shkëndijës. Do ta fitoni titullin kampion edhe me skuadrën e Partizanit?

Është normale të pretendojmë për titullin kampion, pasi jemi klubi më i madh në vend. Jam në një klub ku objektivi është gjithmonë ai maksimal dhe jo vetëm unë, por të gjithë futbollistët, duam ta fitojmë titullin me Partizanin. Do të luftojmë deri në fund për të qenë ne kampionët.

stenio zhunior

Po luani si qendërsulmues, ju pëlqen ky pozicion, pasi ju afron më shumë me portën?

Po mundohem të përshtatem si qendërsulmues. Nuk kam luajtur si sulmues i parë për një kohë shumë të gjatë, prandaj po mundohem ta bëj punën time sa më mirë. Gjithmonë kam luajtur si sulmues krahu, por tani po luaj në qendër. Dua të bëj sa më mirë atë që më kërkon trajneri.

A mundet Stenio të arrijë +10 gola në kampionat, kur kanë mbetur edhe 17 ndeshje për t’u luajtur?

Golat do të vijnë natyrshëm, normalisht duke punuar shumë gjatë minutave në fushën e lojës. Por gjëja më kryesore tani, është të luftojmë për të marrë vendin e parë në renditje dhe besoj shumë se do të jemi në krye. Duhet të punojmë shumë dhe ta arrijmë kreun e tabelës, më pas mund të festojmë.

VERONIK ISTREFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"