“Goli i pësuar aksidentalisht ndryshoi lojën ndaj Dinamos”, kapiteni i Besëlidhjes: Duhet me patjetër Superiorja këtë vit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2020 | 17:16

“Goli i pësuar aksidentalisht ndryshoi lojën ndaj Dinamos”, kapiteni i Besëlidhjes: Duhet me patjetër Superiorja këtë vit

Në Lezhë gabimet janë të ndaluara. Skuadra ka humbur ndjeshëm terren dhe autokritika është kthyer në domosdoshmëri. Java e 8-të i vendos përballë Orikut, ndaj synimi është i qartë tashmë. Vendi i 4- t nuk i shkon aspak për shtat Besëlidhjes, ndaj edhe Klejdi Dibra mendon se ka ardhur koha e kthesës dhe ngjitjes në renditje. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni paralajmëron se skuadra do të gjejë forca që të reagojë në lojë dhe rezultat.

DIBRA

“Ndeshja ndaj Dinamos është për t’u harruar. Pësuam gol aksidentalisht që herët dhe kjo e ndryshoi rrjedhën e lojës në favor të kundërshtarit, çka solli humbjen tonë. Të paktën duhet të barazonim në kryeqytet, sepse i kishim të gjitha mundësitë. Tani jemi të përqendruar tek Oriku, ndeshje që do ta luajmë këtë fundjavë në fushën tonë. Ne jemi të vendosur për ta fituar, ashtu sikurse jemi të vendosur për të vazhduar rrugën drejt kreut.

Këtë vit duhet të ngjitemi patjetër në elitë. Ndonëse nuk e njohim ekipin e Orikumit, ne e vlerësojmë maksimalisht dhe e kemi marrë më shumë se seriozisht. Jemi në epokën e globalizimit të futbollit, ndaj nuk ka skuadra të mëdha dhe të vogla. Të gjithë futbollistët janë të qartë se vetëm fitorja ndaj Orikut na kthen në rrjedhën normale. Shpresoj që jo vetëm në këtë takim, por 3 pikët duhet t’i marrim edhe përballë Veleçikut, transfertë që do të zhvillohet mesjavën e ardhshme. Kjo, edhe për ta mbyllur me sukses fazën e parë dhe vitin 2020”, tha 28-vjeçari.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"