Goli i fundit në derbi, Canka gati të godasë sërish: Dua t’i shënoj përsëri Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2020 | 11:51

Goli i fundit në derbi, Canka gati të godasë sërish: Dua t’i shënoj përsëri Apolonisë

Lushnja shkon në derbin e kësaj fund jave me Apoloninë si vendi i tretë në Grupin B, që do të thotë se nuk i lejohet asnjë hap fals në këtë fazë vendimtare të kampionatit. Përplasjet direkt me rivalët do të vendosin për skuadrën që ngjitet direkt në Superiore dhe atë që luan ndeshje shtesë, por Lushnja për momentin nuk e ka asnjë nga këto mundësi.canka

CANKA – Kapiteni i Lushnjës, Mikel Canka, shënoi vetëm një gol me penallti në fazën e dytë të kampionatit, pikërisht atë në derbin me Apoloninë, të zhvilluar në Lushnjë. Krejt ndryshe nga faza e parë, kur sulmuesi e gjeti 9 herë rrugën e rrjetës, në fazën e dytë ai nuk ka qenë efikas dhe këtu ka ndikuar një dëmtim që e ka mbajtur jashtë fushe disa ndeshje, por edhe fati i keq. Futbollisti 33- vjeçar i Lushnjës është i dyti tashmë në listën e golashënuesve më të mirë të Grupit B, pas Alillarit të Pogradecit. “Me Apoloninë e lashë dhe me Apoloninë dua ta gjej përsëri golin.

Është një ngërç psikologjik që besoj se do të kalojë shpejt. Sulmuesi, kur nuk shënon në një apo dy ndeshje, mbingarkohet emocionalisht. Ndeshja me Elbasanin nuk ishte me fat për mua, sepse m’u anulua një gol dhe u dëmtova. Jam munduar ta ndihmoj ekipin me lojën time dhe kam dhënë asiste për Mezinin, siç ishte ndeshja me Devollin. Tani, në këtë fazë të ndeshjeve të kampionatit, ekipi duhet të tregojë vlerat e veta më të mira.lushnjaaaa

Shpresojmë të kemi edhe një gjykim sa më të mirë, që e kërkon edhe niveli dhe cilësia e ndeshjes. Situata në tabelë është e qartë dhe me këto përplasje të drejtpërdrejta, ne duam që të tregojmë Lushnjën më të mirë, duke nisur nga derbi me Apoloninë”, deklaroi për “Panorama Sport” kapiteni i verdhejeshilëve, Canka, i cili ka luajtur me fierakët në sezonin e tyre të fundit në Kategorinë Superiore.

SKUADRA – Lushnjarët ndërkohë vijojnë përgatitjet në kuadër të derbit me Apoloninë, që do të luhet me dyer të mbyllura, pas vendimit të fundit të FSHF-së dhe ky është një plus në këtë rast për skuadrën e Gjylës. Rrethanat e krijuara i kanë lënë tifozët jashtë stadiumit në një ndeshje me shumë atmosferë për krahinën e Myzeqesë.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"