Goli i anuluar, Muça e Musta, antagonistë në opinione edhe pas 30 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2019 | 23:11

Goli i anuluar, Muça e Musta, antagonistë në opinione edhe pas 30 vitesh

UVIL ZAJMI

Biseda me dy legjendat për ta vlerësuar “gol, jo gol” ka dy kahe. Nga njëra anë autori Muça që me humor e kujton si të vlefshëm, e kundërta me Mustën, që edhe sot nuk e pranon të tillë.

muca musta

Muça: Goli im nga mesfusha, ja si e realizova! “Kam shënuar mjaft gola, edhe më të bukur, por për atë shpreh keqardhje që nuk u vlerësua i rregullt. Ishim në fundin e takimit, të lodhur, kërkonim të kalonin minutat. Kam qenë brenda harkut të mesfushës, kur e kam ndaluar topin, e kam shtyrë një hap përpara, me Mustën që kishte dalë nga porta, pa menduar e godita. Edhe pse nuk u konsiderua i tillë, edhe sot pa kaq vitesh ka tifozë që më thonë: ‘Çim Muça, ti që i bëre golin Partizanit nga mesfusha’. Kompromis ajo ndeshje? Në derbi nuk mund të ndodhte kurrë. Reagimi, protestat tona, të publikut pasi goli u anulua e reflektonin qartë tensionin që e përfshinte një Partizan17 Nëntori, në fushë e tribuna në ato vite”.

Musta: Tentova ta ndal, por e pamundur!

“Për cilin gol e keni fjalën? Ai nuk ka qenë gol, pasi nuk u vlerësua i tillë”, të përgjigjet me humor Perlat Musta kur e pyet. Pastaj vijon: “Pas një dyluftimi në ajër, e kapa topin dhe i ndodhur te vija e 16-shes e nisa për te Ylli Shehu, por nuk ma kapi mirë këmba dhe ai përfundoi të Muça që nga distanca e gjuajti. Vetëm kur e pashë mbi kokë, e kam prekur me dorën e djathtë pa mundur ta nxjerr jashtë, i penguar pak edhe nga Gega. Për një çast e konsiderova gol, vetëm kur pashë lart flamurin e vijërojtësit. E ndërsa lojtarët tiranas iu vërsulën atij, e kam kapur prej dore Agustinin dhe i thashë: ‘Ti mos shko të protestosh se për ty e ka dhënë ofsjat’. Në atë kohë kam mendimin se nuk funksiononte pozicioni pasiv, mjafton të ishe më i avancuar edhe nëse nuk merrje pjesë në lojë, konsideroheshe jashtë loje”, kujton Musta. Pastaj shton: “Disa ditë më parë, duke ndjekur një ndeshje në një kanal të jugosllavit, ka qenë minuta e fundit kur një lojtar realizoi nga mesfusha, identik si ai i Muçës. U befasova, si mundet një portier të pësojë një gol të tillë thashë, pa e ditur se shumë shpejt do të më ndodhte edhe mua”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"