Goli i anuluar i Muçës 30 vite më parë, anësori Ndreka: Më përjashtuan përgjithmonë si tifoz të Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2019 | 23:33

Goli i anuluar i Muçës 30 vite më parë, anësori Ndreka: Më përjashtuan përgjithmonë si tifoz të Partizanit

UVIL ZAJMI

I caktuar në atë takim si asistent i dytë, Sotiraq Ndreka, sot 63 vjeç, i rikthehet atij momenti dhe, siç thotë, ende e mban mbi shpinë. Nga caktimi, ndeshja, minuta “fatale”, reagimi dhe pasojat, në një rrëfim unik për “Panorama Sport”, kur për herë të parë tregon pas tre dekadash me detaje çastin pse zgjodhi atë vendim që e bëri edhe të famshëm.

sotiraq ndreka

Z. Ndreka, ishin vitet e fillimit si arbitër, apo jo?

Kisha disa vite i angazhuar me Kolegjiumin e Tiranës dhe atë sezon kisha filluar të gjykoja si asistent me Kukën, Kotheren, Kaimin, arbitra ndërkombëtarë. Një javë më parë kisha qenë në Shkodër me Namik Jarecin, Vllaznia-Partizani 1-0. Të mërkurën në Durrës për Kupë, Lokomotiva-Naftëtari, pas ndeshjes arbitri Ylli Kruja, që ishte edhe kryetar kolegjiumi më thotë: “Raqi, palose mirë uniformën se të dielën je caktuar në një ndeshje të fortë”.

Për cilin takim bëhej fjalë?

Nuk ma tha aty, por në mbledhjen e kolegjiumit më njoftuan se Partizani-17 Nëntori do të drejtohej nga Kuka, unë dhe Qemal Baçi si asistentë. Kisha kohë që e prisja një ndeshje derbi, sidomos një të tillë, pasi të jepte një ndihmë të madhe morale e profesionale për karrierë.

partizani 17 nentori hiqmet kuka

Cila minutë ka qenë?

Kujtoj që ishte minuta 83-të dhe topi luhej në krahun tim. U krosua nga një futbollist tiranas, u prit në dalje nga portieri i Partizanit që e largoi menjëherë, por në pak sekonda topi u rikthye në zonën e Partizanit. I zënë në befasi, kam parë Mustën në përpjekje për ta devijuar dhe Mingën e Kolën duke dalë nga zona, shoqëruar me topin në rrjetë dhe tifozërinë pas meje që shpërtheu. Pas atij momenti në minutat e mbetura nuk kam qenë në fushë. I emocionuar, jo i sigurt për vendimin, u trondita pa masë.

Si e interpretuat vendimin e marrë?

Ka ardhur Kola duke protestuar dhe disa futbollistë të tjerë. Ndërsa kur Kuka më pyeti: “Pse e ngrite flamurin?”, i thashë: “Kam parë në pozicion jashtë loje Mingën e Kolën”, që më ishin fiksuar duke dalë nga zona e 16 metrave. “Je i sigurt?”, vijoi ai. “Po”, iu përgjigja, ndonëse ai nuk ishte i qartë për situatën, por më shumë për gol të rregullt. Ai ngulte këmbë në të tijën unë e kundërshtoja dhe pas 2-3 minutash ndërprerjeje e diskutimi, ai anuloi golin dhe loja rifilloi me goditje indirekte në zonën e Partizanit. Ky ka qenë interpretimi që i kam bërë.

Pas ndeshjes pati reagime?

Jo. Në dhomat e zhveshjes nuk kemi diskutuar, madje as erdhi njeri, as përfaqësuesi i federatës apo nga klubet. Vetëm duke u futur, Ali Mema, që e kisha pasur mësues, m’u afrua: “Ç’na bëre Raqi!” kurse trajneri Rreli me dashamirësi më thotë: “Nuk ka problem, ashtu si e pe e dhe”. Nga stadiumi dolëm të qetë, por pati shqetësim për shumë kohë në familje, pasi i jetonin ndeshjet e mia. Pak diskutuam edhe me vëzhguesin, pasi ishim të gjithë të paqartë.

Në darkë, në “Rubrikën Sportive”, a i ndoqët diskutimet?

Sigurisht, u diskutua shumë. Në vite e kam kërkuar filmimin, por çuditërisht, si më qëllim, dikush e zhduku ndeshjen, golin dhe vetëm atë natë u dha, asnjëherë më. Edhe televizioni jugosllav, në një emision sportiv, siç më kanë thënë, e ka dhënë atë gol si të rrallë për nga ekzekutimi, por edhe për anulimin.

Ju “akuzonin” si tifoz i Partizanit?

Kështu qarkullonin fjalët, sigurisht nga tifozëria tiranase. Një javë më parë isha asistent në Shkodër, ku Partizani humbi. Unë punoja në Stabilimentin “Mihal Duri”, përballë klubit 17 Nëntori dhe të nesërmen me erdhën Kola me Muçën, sigurisht për të shuar zjarrin….

Pas kaq vitesh, si e gjykoni atë ngritje flamuri?

Sigurisht që sot është e lehtë. Ai ka qenë gol i rregullt, pasi Kola e Minga nuk morën pjesë në aksion, nuk ishin të interesuar për topin, madje edhe u befasuan kur e panë në rrjetë. Jo vetëm ata, por edhe unë, Kuka, Musta, lojtarët e dy skuadrave, tifozëria.

Keni mbetur ende personazh?

Edhe sot më rëndon ai gol i anuluar, situatën e krijuar në derbin Partizani-17 Nëntori. Ajo që më shqetësonte më tepër ishte fakti që të mos i prishja punë Hyqmetit, që realisht edhe ai u godit padrejtësisht. Ruaj gazetën “Sporti” dhe foton, të cilën ma ka bërë daja im, A. Dhimitri, që punonte në ATSH dhe u ndodh në mesfushë para takimit. Sidoqoftë, ai gol më bëri të “famshëm”, që edhe pas 30 vitesh kujtohem nga ai episod, sidomos në mjediset sportive, që sapo dëgjojnë mbiemrin, u prezantohem: “Ti je ‘gardalina’ që anulove golin e Çim Muçës nga mesfusha”, më thonë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"