Goleadori i ri i Besës, mesfushori Lila: Erdhi koha të ngjitemi në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2020 | 22:00

Goleadori i ri i Besës, mesfushori Lila: Erdhi koha të ngjitemi në Superiore

Besa afroi në këtë merkato shumë futbollistë cilësorë, mes tyre edhe sulmuesit Peqini dhe brazilianin Kaina, të cilët pritet të jenë dyshja titullare e sezonit të ri. Por, në miqësoret e zhvilluara deri tani golat kanë ardhur nga dikush tjetër, nga peqinasi Bledar Lila. Mesfushori 19-vjeçar ka realizuar ndaj Lushnjës, Skënderbeut dhe së fundi dy herë ndaj Elbasanit, ai duket se është “sulmuesi i fshehur” i trajnerit Ndriçim Kashami.
bledar-lila
Golat e kanë gëzuar lojtarin që do ta donte çdo skuadër e Superiores, ndaj dhe Besa është me fat që e ka. Lila bën diferencën te skuadra verdhezi dhe mund të quhet pse jo “blerja” më e madhe e Besës për këtë sezon. Ofertat për të nuk mungojnë, por kontrata 3-vjeçare që ka me presidentin Nexhat Bizhdili nuk e lejon të lëvizë aq lehtë. Në një të ardhme të afërt ky talent pritet t’i sjellë jo pak të ardhura arkës së Besës, por tani për tani ai mendon vetëm për kampionatin e ri dhe ka besim se ka ardhur koha për ngjitjen në Superiore. “Golat në miqësore? Është meritë e trajnerit Kashami, pasi falë taktikës, ekipi më nxjerr mua para portës kundërshtare. Sigurisht, bëhen të gjitha bashkë, dëshira, përgatitja fizike dhe egoja, plus taktikën, siç e thashë, që prodhojnë golat.
Skenderbeu-Besa-logo
Nuk jam sulmues klasi, ndaj e gjithë merita shkon për shokët e ekipit. Kur ke në krah futbollistë që të kuptojnë, normalisht ndihesh më mirë dhe ke më shumë dëshirë të luash. Grupi që ka Besa këtë sezoni i ka të gjitha mundësitë të bëjë realitet premtimin e presidentit Bizhdili për kthimin e ekipit në Superiore. E kemi ‘miellin’ të cilësisë ekstra, tani na mbetet ne lojtarëve dhe stafit ta bëjmë ‘byrekun’. Kam bindje se s’do ta ‘djegim’ si 5 vitet e shkuara”, ka thënë Lila për “Panorama Sport”. Ai, edhe pse në moshë të re, pritet të jetë një ndër liderët e Besës sezonin e ardhshëm. Të mërkurën kavajasit fituan 1- 3 ndaj Elbasanit.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"