Goleadat në modë, Bajerni gjen çelësin me Manenë/ Rekordmenët zgjidhin problemin me zhvendosjen e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 23:21

Goleadat në modë, Bajerni gjen çelësin me Manenë/ Rekordmenët zgjidhin problemin me zhvendosjen e tij

Ka kaluar më pak se një javë nga ri fillimi i ndeshjeve në kampionatet elitare dhe ajo që bie në sy është paraqitja e Bajernit në dy sfidat e fundit, konkretisht ndaj Leverkusenit në Bundesligë dhe përballë Plzenit, e vlefshme për fazën e grupeve në Champions. 9 është numri i golave të shënuar dhe 0 të pësuar, por analiza shkon më thellë nëse ndalemi në mënyrën se si të besuarit e Nagelsmanit e kanë interpretuar atë.

MANE NAGELSMAN

Fillimi i vrullshëm, saktësia para porte dhe presioni i lartë, këto janë strategjitë që tekniku 35-vjeçar ka aplikuar dhe reflektuar nga humbja e Augsburgut. Kjo nuk është e gjitha, pasi zhvendosja e Sadio Manesë, nga sulmues pykë në krahun e majtë, i ka dhënë më freski dhe lëvizje repertorit të tij, e cila është e përkthyer me 2 gola dhe 1 asist në 2 takimet e fundit.

Zhdërvjelltësia, shpejtësia dhe protagonizmi i ndërtimit të lojës nga thellësia janë 3 pikat kyçe, të cilat nuk kanë dhënë rezultat vetëm në shënimin e goleadave, por edhe të një loje të ndërtuar në mënyrë model, duke vënë në funksion çdo repart. Ndryshimi i pozicionimit të Sadios me sa duket paska qenë çelësi i shënimit të golave të shpejtë dhe kontrollit të ndeshjeve nga analiza efikase e Nagelsmanit.

Jo më kot pas përfundimit të përballjeve në Ligën e Kampionëve me Plzenin, sulmuesi 30-vjeçar u shpall njeriu i ndeshjes, ai i cili i ka rikthyer buzëqeshjen tifozërisë nga Mynihu. Nuk mund të qëndronte në heshtje edhe arkitekti i kësaj manovre në formacion, e cila do të rezultonte e suksesshme, fjala është për Julian Nagelsman.

Ai është shprehur i bindur se Mane do ta arrinte me sukses misionin e ri, të sulmuesit anësor, por disi të tërhequr në organizimin e lojës nga thellësia: “Sadio është lojtar dhe njeri i shkëlqyer. I kam parë me detaje ndeshjet e tij në kampionat dhe kam kuptuar se roli i pykës nuk është i duhur për të, eksperimenti ka rezultuar efikas, të vazhdojmë kështu. Lojtari senegalez nuk ka dhënë një kontribut të vyer vetëm në shënimin e golave, por edhe në ndërtimin e lojës nga mbrapa”.

Fakt interesant është se bavarezët në këto dy duelet e fundit e kanë nisur furishëm me gol që në start dhe një dominim absolut në fraksionin e pjesës së parë, pa u dhënë mundësi reagimi kundërshtarëve mbi bazë të golave të shënuar: “20 minutat e para janë vendimtare për fatet e takimit dhe nëse e kryen detyrën si duhet në volumin e prodhuar dhe rastet e krijuara, atëherë fundi do të jetë i duhuri”, përfundoi i buzëqeshur gjermani.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"