Goleada e gafa, Kroaci-Angli premton spektakël. Ja përballjet mes ishullorëve dhe ballkanasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 21:26

Goleada e gafa, Kroaci-Angli premton spektakël. Ja përballjet mes ishullorëve dhe ballkanasve

Anglia do të përballet me Kroacinë të mërkurën për një vend në finalen e Botërorit. Precedentët thonë se na pret një ndeshje plot emocione, edhe pse kjo do të jetë hera e parë që këto skuadra do të takohen në një ndeshje të Kupës së Botës. Shtatë herë janë ndeshur ishullorët dhe ballkanasit mes tyre dhe vetëm 1 ndeshje ka përfunduar në barazim. Shumica e dueleve të tjera kanë qenë plot gola dhe emocione, duke hyrë në folklorin e historisë.

stik meklaren

Angli-Kroaci 0-0, 24 prill 1996 (miqësore)

Takimi i parë mes këtyre kombëtareve ka qenë një test miqësor, ndërsa skuadra e Terri Vënejbëllsit përgatitej për Euro 1996. Por tifozët në “Wembley” përfunduan të zhgënjyer, falë taktikave mbrojtëse të kroatëve dhe shpërdorimeve përpara porte.

Angli-Kroaci 3-1, 20 gusht 2003 (miqësore)

Luajtur në “Portmand Road” të Ipsuiçit, kjo ndeshje do të mbahet mend për debutimin e Xhon Territ me kombëtaren. Dejvid Bekham, i cili sapo kishte kaluar te Reali, zhbllokoi rezultatin me një penallti të shpejtë përpara se të krosonte për Majkëll Ouenin, i cili dyfishoi me kokë. Frenk Lampard erdhi nga stoli për të shënuar golin e tretë nga një distancë e largët, ndërsa kroatët u ngushëlluan me golin e vonë të Ivica Mornar.

Kroaci-Angli 2-4, 21 qershor 2004 (Euro 2004)

Duke iu dashur fitorja për të siguruar një vend në fazën me eliminim direkt, skuadra e Zven-Goran Eriksonit u frymëzua nga Uejn Runi në Lisbonë. Dy golat e sulmuesit anglez bënë që “Tre Luanët” të përmbysnin rezultatin dhe siguronin një biletë përballjeje me vendin organizator, Portugalinë në çerekfinale. Niko Kovaç zhbllokoi rezultatin pas vetëm 6 minutash, por Pol Skolls barazoi shpejt dhe më pas dopieta e Runit riktheu gjithçka nën kontrollin e Anglisë. Një gol i Igor Tudorit i dha shpresë Kroacisë, por Lampard largoi edhe dyshimet e fundit, ndrësa “Tre Luanët” prodhuan një nga ndeshjet më të bukura nën drejtimin e teknikut suedez.

Kroaci-Angli 2-0, 11 tetor 2006 (Euro 2008 kualifikuese)

Anglia u pengua në Zagreb në një ndeshje që do të mbahet mend për momentin e tmerrshëm të portierit Pol Robinson në portë. Sulmuesi i Arsenalit Eduardo kaloi Kroacinë në avantazh në 61′, ndërsa basti i trajnerit Stiv MekKlaren për të kaluar në mbrojtjen me tre vetë zhgënjeu. Dhe vetëm 8 minuta më vonë, Geri Nevil ktheu pas një top te portieri Robinson, i cili në përpjekje për ta larguar, i kërceu mbi këmbë dhe i përfundoi në rrjetë.

Angli-Kroaci 2-3, 21 nëntor 2007 (Euro 2008 kualifikuese)

Një mbrëmje e errët në historinë e futbollit anglez që u pasua nga një tjetër gabim i tmerrshëm i portierit Skot Karson dhe “Idiotit me Çadër”. Trajneri MekKlaren uli në stol Robinsonin dhe Bekhamin, por Karson pësoi gol pas një goditjeje të lehtë të Niko Kranjçar, duke u dhuruar avantazhin kroatëve, përpara se Ivica Oliç të dyfishonte dhe heshte “Wembley”-n. Penalltia e Lampardit i dha shpresë Anglisë dhe kur Peter Krauç barazoi, të gjithë prisnin fitoren e madhe, aq të nevojshme për kualifikimin në Euro 2008. Por goditja nga distanca e Mladen Petriçit riktheu avantazhin e ballkanasve dhe MekKlaren e kaloi pjesën e mbetur të ndeshjes duke u mbrojtur nga shiu me një çadër. Aventura e tij në stol përfundonte me dështim. Ai u shkarkua menjëherë më pas nën titujt e tabloideve “Idioti me Çadër”.

Kroaci-Angli 1-4, 10 shtator 2008 (Botërori 2010, kualifikuese)

Tio Uollkot më në fund mbërriti si një yll i Anglisë me një tripletë, ndërsa Anglia e tij prodhoi një nga ndeshjet më të mira nën regjinë e Fabio Kapelos. Trajneri italian zgjodhi që të luante talentin 19-vjeçar përpara Bekhamit dhe ai ia shpërbleu me një ndeshje fantastike shpejtësie dhe finalizimi. Runi shënoi gjithashtu, ndërsa Kroacia mbeti edhe me 10 vetë kur Robert Kovaç goditi me bërryl Xho Kolin ndërsa vendësit kapitullonin në shtëpi.

Angli-Kroaci 5-1, 9 shtator 2009 (Botërori 2010, kualifikuese)

“Tre Luanët” çimentuan një vend në Kupën e Botës së Afrikës së Jugut, duke dërrmuar kroatët në “Wembley”. Stiven Xherrard dhe Frenk Lampard shënuan të dy, ndërsa skuadra e Kapelos blindoi biletën e parë kualifikuese të grupit ndaj ballkanasve, që u mungonte ylli i skuadrës, Luka Modriç. Eduardo shënoi golin e nderit, përpara se Runi të vuloste gjithçka.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"