Golat me telekomandë dhe dyshimet për trukim, reagojnë zyrtarët e 6 ekipeve: Pro hetimit, jemi bërë si në Afrikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2022 | 23:20

Golat me telekomandë dhe dyshimet për trukim, reagojnë zyrtarët e 6 ekipeve: Pro hetimit, jemi bërë si në Afrikë

Golat me telekomandë nuk kanë kaluar në heshtje nga FSHF-ja. Komisioni i Disiplinës në vendimet dy ditë më parë, njoftoi se ka hapur çështje për tri ndeshje të Kategorisë së Dytë (Internacionali-Luzi, Bulqiza-Veleçiku dhe Oriku-Gramshi).

Oriku-Veleciku

Do të hetohet për trukim, ndaj edhe “Panorama Sport” e pa të udhës që të kontaktonte me gjashtë klubet e prekura. Zyrtarët e secilës mbështesin hetimet dhe janë të hapur. Ka nga ata që mohojnë kategorikisht akuzat, por edhe të tjerë që e kanë lënë që të flasin në një moment të dytë.

INTERNACIONAL

Trajneri i Internacionalit mohon kategorikisht që të ketë pasur tolerim. Ermir Shehaj jep shkaqet që çuan ekipin e tij në atë humbje të thellë. “Dua të sqaroj se nuk bëhet fjalë absolutisht për tolerim. Ky lloj rezultati vjen për disa arsye objektive të situatës që po kalon ekipi ynë. Në radhë të parë mund të përmend mungesën e organikës në disa ndeshje. Vazhdimisht kemi pasur vështirësi për plotësimin e 11-shes.

Së dyti, kjo vjen edhe si produkt i rezultateve negative që kemi pasur javë pas jave. Në të fundit ka ndikuar edhe lodhja, pasi shumë prej lojtarëve agjërojnë. Edhe një herë sqaroj, në mënyrë absolute nuk flitet për tolerim”, tha numri një i stolit për disfatën me rezultatin 1-15 kundër Luzit.

LUZI 2008

Në Luz nuk shqetësohen nga hetimet që do të nisin për fitoren me Internacionalin. Vetë presidenti Albert Lusha i mbështet ato, madje kërkon që ato të thellohen e secili të marrë atë që i takon. “Mbështes plotësisht vendimin e FSHF për të nisur procedurat për takimin e Internacionalit ndaj nesh, por edhe ndaj Veleçikut dhe ekipit të Orikut.

Futbolli duhet të jetë i pastër dhe ‘Fair Play’ dhe çdo objektiv apo ambicie e secilit klub të mbështetet vetëm te loja e ndershme dhe investimet që secili ka bërë në ekip. Për sa i përket Luzit që drejtoj, ju garantoj se nuk do të gjeni kurrë në asnjë përballje asnjë lloj pazari. Internacionali ishte ekip i shkrirë dhe forca jonë u pa që në minutën e 3-të, kur shënuam. Golat i bëmë logjikshëm dhe me djersë. Askush s’na e hapi portën apo na fali gjë. Madje, për kuriozitet pas golit të 15-të, unë isha në tribunë dhe i fola trajnerit të mos bënin më gola.

Nuk na duheshin më gola përballë një ekipi të cilit mund t’i kishim shënuar edhe 20 të tillë. Le të hetojë FSHF çfarë të dojë, do ketë mbështetjen tonë, pasi Luzi 2008 nuk ka asgjë për t’u frikësuar. Nuk kemi shënuar gola 3-4 apo 5 në minutën e 90-të. Për kuriozitet, ju them se me Adën në Luz javën e shkuar luajtëm po ashtu ndershëm dhe vetëm 90 minuta, pa asnjë të tillë shtesë. Fituam dhe shënuam aq gola sa mundëm e merituam.

Kam investuar miliona lekë çdo sezon dhe jo vetëm sivjet. Ndeshjet i kam parë si fitore që vlejnë tri pikë dhe jo si goleadë. Synimi ynë dihet, është ngjitja në Kategorinë e Parë dhe na pret një finale këtë fundjavë në Veleçik, ku dhe barazimi na nxjerr kampionë”, tha numri një i klubit kavajas.

BULQIZA

Trajneri dhe zyrtari i Bulqizës tregohet i rezervar për humbjen në shifrat 0-15 kundër Veleçikut. Hakik Çekiçi kur u pyet nga gazeta për hetimin që do të nisë Komisioni i Disiplinës, shprehimisht tha: “Pa u shprehur Komisioni i Disiplinës, ne nuk do të prononcohemi. Më pas do ju japim sqarim të plotë”.

VELEÇIKU

Te Veleçiku janë të përqendruar te ndeshja e radhës. Vetë trajneri Haris Lika qartëson se ai merret vetëm me ekipin dhe për këtë temë u takon drejtuesve që të flasin. “Përflitet se Komisioni i Disiplinës në FSHF do të hetojë disa takime mes tyre dhe Bulqiza–Veleçiku. Por për këtë duhet të prononcohen drejtuesit e klubit. Unë po ushtroj detyrën time dhe jam i përqendruar te përgatitjet për takimin e radhës”, tha numri një i pankinës së koplikasve.

ORIKU

Edhe Oriku në hetim për fitoren 8-0 me Gramshin. Por administratori Muharrem Jazaj thotë se të dëmtuar në këtë mes janë ata dhe gara u dhunua që në ndeshjen me Adën. “Për mua është shumë mirë që të hetohet dhe të shikohet se çfarë ndodhi. Të gjitha janë bërë për të dëmtuar Orikun. Gara u prish që në ndeshjen me Adën. Na dhanë shumë penalizime, 4 kartonë të kuq. Gara u prish me një ekip të dobët, pastaj vazhduan me radhë Luzi, Veleçiku…

Gara ishte e dhunuar dhe jo reale. Besoj që hetimet të jenë të drejta dhe të sakta, pasi u degjenerua futbolli, u bë si në Afrikë. Ne ndihemi të fyer dhe unë kam besim se do të ketë ngjarje pozitive. Shumë mirë që po hetohet edhe Oriku. Gramshi erdhi në Orikum me dy dëmtime dhe me dy të kuqe.

Kur shkuan në Gramsh, gjyqtari i ndëshkoi me të kuq. Veç këtyre dëmtimeve që patën, këtu te ne u dëmtuan edhe portieri dhe në portë futën një fëmijë. Stadiumi u acarua kur po bëheshin 15 gola në ndeshjen me Veleçikun. Unë dua të mos ndodhin më këto gjëra dhe federata të marrë masa. Të mos luhet më pa pasur cipë fare. Besoj te drejtësia”, përfundon Jazaj.

GRAMSHI

E katërta humbje radhazi për Gramshin ka ngjallur dyshime. Pësimi i tetë golave nga Oriku ka bërë që FSHF-ja të hap çështje edhe për ta. E megjithatë, shefi i klubit mohon të ketë pasur tolerim. Lulëzim Hasa qartëson se luajtën ndershëm. “Ne humbëm thellë në Orikum, por duke luajtur futboll të ndershëm.

Nuk toleruam dhe nuk ua lamë ndeshjen. Për këtë jam i sigurt. Mund të them që pjesa e parë përfundoi 1-0 për kundërshtarin dhe në pjesën e dytë na u dëmtua portieri i dytë. Futëm portierin e tretë në lojë, që pësoi golat. Jo vetëm kaq, por patëm edhe disa mungesa kryesore. Kishim të skualifikuar, të dëmtuar, por edhe të sëmurë. E gjithë kjo, bashkë me dëmtimin e portierit të dytë ndikoi në rezultatin”, thotë zyrtari i gramshakëve.

Bashkëpunuan: Abdulla Dushku, Feriz Ferizaj, Bashkim Ramekaj, Ermal Sika, Mariglen Miraka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"