“Golat me kokë u bënë të zakonshëm”, Rustem Hoxha: Na duhet fat në short

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 5, 2020 | 18:48


“Golat me kokë u bënë të zakonshëm”, Rustem Hoxha: Na duhet fat në short

U rikthye në shtëpi për të fituar një trofe dhe për këtë ai është i lumtur, sepse pas 15 vitesh Teuta merr Kupën e Shqipërisë, dhe për më tepër, Rustem Hoxha bëhet protagonist absolut i finales. Qendërmbrojtësi durrsak ka treguar për “Panorama Sport” emocionet e golit ndaj Tiranës, ndërsa foli edhe për pjesëmarrje në Europë.
Hoxha
Rustem, sollët kupën pas 15 vitesh në Durrës. Çfarë ndjesie keni pas fitimit të këtij trofeu?
Mendoj që i kemi bërë një dhuratë të bukur qytetit dhe tifozëve për 100-vjetorin e themelimit të klubit. Ishte diçka shumë e bukur, jo vetëm për mua që isha në fushë, por për të gjithë durrsakët. Keni shënuar dy gola vendimtarë, një në gjysmëfinale ndaj Kukësit dhe një në finalen me Tiranën.

E kishit menduar ndonjëherë se do të bëheshit faktor në fazën sulmuese?
Jam i lumtur për golat. Në fakt, sa herë ka pasur goditje dënimi, kam dalë në sulm për të ndihmuar ekipin. Kjo është një ndjesi e veçantë, sepse me golin që shënova ndaj Kukësit, shkuam në finale. Më pas realizova ndaj Tiranës dhe arritëm të fitonim trofeun. Më vjen mirë për këtë gjë dhe falënderoj Zotin.
teuta me kupen
Çfarë do të thotë për një durrsak të fitojë trofe me ekipin e vendlindjes?
Është një gëzim i dyfishtë, sepse lë gjurmë në historinë e ekipit të qytetit tënd. Kjo gjë e bën akoma më të veçantë fitimin e trofeut.

Çfarë ju thanë trajneri dhe drejtuesit pas ndeshjes?
Na uruan dhe falënderuan për këtë mbyllje pozitive që bëmë. Ka qenë një sezon tepër i vështirë, por ne arritëm që të bënim mirë, si në kampionat, dhe në Kupë.

Keni shënuar shpesh me kokë, mos ndoshta duhet të ndërroheni me shokët e sulmit…?
(Qesh) Siç jam i saktë në fazën mbrojtëse, ashtu jam edhe në fazën sulmuese sa herë më jepet mundësia të dal përpara. Ndoshta edhe për shkak të fizikut që kam, kjo është arsyeja që shënoj me kokë.

Ka një dedikim special ky trofe?
Këtë trofe ia dedikoj familjes për çdo sakrificë që kanë bërë, por veçanërisht vajzës sime dhe gjithë tifozëve të Teutës.
teuta me kupen
Në prag është Europa Ligë dhe ka pak kohë. Çfarë prisni këtë herë?
Dëshira është të kalojmë një tur, edhe pse është e vështirë, sepse, së pari, na duhet pak fat në short. Tashmë do të jetë me ndeshje teke, por unë kam besim që mund të bëjmë mirë në Europë. Me përforcime të duhura, besoj se do të kemi sukses.

Çfarë duhet të ndryshojë Teuta?
Besoj së kjo gjë i takon presidencës dhe stafit drejtues. Unë kam besim se ata do të mundohen të bëjnë më të mirën për ne dhe klubin.

E ardhmja juaj do të vazhdojë të jetë në Durrës?
Për momentin të shijojmë këto pak pushime që kemi, pasi ka qenë një sezon shumë i lodhshëm dhe i çuditshëm. Për sezonin e ardhshëm kemi kohë të mendohemi. Inshallah gjëra më të mira se ky sezon.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com