Golat “manualë”, Bakaj dhe Muzaka rrëfejnë sekretin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2016 | 12:25

Golat “manualë”, Bakaj dhe Muzaka rrëfejnë sekretin

Ishin gola perfektë për nga mënyra e ndërtimit, por edhe ekzekutimit. Nëse Tirana ka çaluar në këtë pikë, dje kjo nuk ndodhi. Bardheblutë funksionuan dhe zhvilluan një ndeshje në limitet e perfeksionit dhe ata që zbulojnë sekretin e rilindjes së kësaj skuadre janë dy nga protagonistët e fitores në Laç.terbuni tirana

Bakaj

Mesfushori i natyralizuar tashmë si një “pykë” e mirëfilltë tregon se goli i parë nuk ishte rastësi, por një skemë e provuar edhe në stërvitje. Elis Bakaj thotë që kësaj Tirane tashmë i është rikthyer edhe besimi i munguar dhe se meritën kryesore për këtë e ka pikërisht trajneri Daja.

“Është skemë e praktikuar edhe në stërvitje në fakt, edhe pse nga krahu i majtë i takonte Likës që ta bënte, por derisa ai nuk ishte në lojë, më mbeti mua. Pata besimin që mund të shënoja dhe Zoti më ndihmoi që të shkonte në rrjetë.

Fatmirësisht topi m’u bind dhe shënova. Kjo situatë na çliroi psikologjikisht dhe në fund dolëm me këtë rezultat të thellë. Gjithsesi, ndryshe nga herët e shkuara këtu, skuadra pati përqendrim maksimal dhe diti të sillet si një skuadër e madhe. Kisha thënë edhe para se të niste ndeshja, se këtë herë Tirana do të triumfonte. Jemi në rrugë të mbarë”, tha fillimisht për “Panorama Sport” Elis Bakaj.

Ndërsa, i pyetur për golat e shënuar, ai thotë: “Rezultatet e marra na kanë shtuar besimin e munguar. Lojtarët janë të njëjtë, por që pas ardhjes së trajnerit Daja ne kemi filluar që t’i kuptojmë vlerat tona. Është kjo puna e parë që ka bërë ai. Daja na bëri që të kuptojmë cilësitë që kemi dhe kjo po vërtetohet nga ndeshja në ndeshje.

Punë kemi ende shumë, por jemi në rritje dhe kjo na ngroh. Është thënë edhe herë të tjera që s’kemi shënuar shumë, por unë nuk jam ‘pykë’. Po sakrifikoj, pasi po i përshtatem këtij roli. Unë në karrierë maksimumi kam bërë 15 gola. Pastaj më thoni nëse ka një sulmues të dytë në kampionatin shqiptar që të ketë shënuar më shumë se unë?! Por e theksoj, për mua është ekipi i pari, pastaj vijnë golat e mi”, përfundoi Bakaj.

Muzaka  

Pak kujt i ndodh që pas një dëmtimi horror dhe operacioni të rikthehet në të tilla nivele. Por, Gjergj Muzakës i ndodhi. Dhe sikundër thotë vetë mesfushori, rastësia bëri që të shënonte gol, pikërisht në atë stadium ku një vit u dëmtua.

“Jemi të gjithë shumë të lumtur, pasi ruajtëm vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Fituam në Laç pas shumë kohësh dhe, për koincidencë, unë shënoj. Kjo ishte gjëja më e bukur, pasi bëra gol aty ku u dëmtova një sezon më parë.

Po më shpërblehet e gjithë puna e bërë dhe periudha e vështirë që kalova. Fitoret në transfertë të ndihmojnë shumë dhe janë realisht të rëndë- sishme, pasi forcojnë karakterin dhe autoritetin e skuadrës. Por tani shpresojmë që këtë ritëm ta ndjekim dhe në stadiumin tonë, duke filluar që nga ndeshja e ardhshme”, përfundoi Muzaka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"