“Golat ia dedikoj babait tim”, flet Shtubina: Superiorja na pret, por duhet të mundim Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2021 | 15:25

“Golat ia dedikoj babait tim”, flet Shtubina: Superiorja na pret, por duhet të mundim Pogradecin

Egnatia mori një fitore plot polemika, por të çmuar. Ata janë +7 në renditje dhe me një këmbë drejt elitës. Ndriçim Shtubina ishte njeriu i ndeshjes përballë Tomorit, ndërsa nuk i kurseu dy penalltitë e fituara. Shkodrani ngjitet në kuotën e tetë golave të shënuar, duke qenë shënuesi më i mirë i rrogozhinasve. Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni analizon ecurinë dhe synimet, ndërsa thotë:

SHTUBINA

“Nuk ka si të mos ndihem mirë që fituam dhe për më tepër me golat e mi. Ky trepikësh na afron më shumë me misionin ‘Superiore’. Nga minuta e parë e deri në vërshëllimën e fundit, luftuam në fushë për fitoren. Ia dolëm të shënojmë shpejt e kjo ishte më e rëndësishmja për këdo. Kjo na mban në krye me tjetër diferencë pikësh nga ndjekësit. Po përjetoj një sezon tepër të veçantë tek Egnatia. Jemi në rrugën e duhur.

Golat që shënova ia dedikoj si homazh babit tim që nuk jeton më, familjes që më ndjek gjithmonë në stadium e kujtdo që beson në aftësitë e mia. Nuk ka përfunduar asgjë, kalendari na vendos përballë edhe të tjera javë të rëndësishme. Cilido kundërshtar do të marrë vlerësimin tonë deri në fund. Në Pogradec do udhëtojmë për të luajtur një futboll korrekt, këtë na e lejon terreni atje. Kundërshtari ka synimet e veta, po ne nuk duhet të gabojmë në asnjë mënyrë. Fituam në fazën e parë atje dhe shpresoj shumë të kemi fat”.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"