Golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë, Gjata: Zgjedhja ime e parë është Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2020 | 20:23

Golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë, Gjata: Zgjedhja ime e parë është Apolonia

Për Mario Gjatën, ky sezon futbollistik ka qenë i veçantë. Apolonia e tij u shpall kampione e Kategorisë së Parë, ndërsa sulmuesi fitoi garën e shënuesit më të mirë. Pa dyshim që është një arritje e madhe për talentin e dalë nga shkolla fierake e futbollit, pasi iu desh që të luftonte me të sprovuarin Mikel Canka i Lushnjës apo dhe Artion Alillarin e Pogradecit.
Mario Gjata Apolonia
Shpërthimin më të madh 21-vjeçari e pati në ndeshjet “play off”, ku shënoi 8 gola në 5 ndeshje të aktivizuara. “Preja” e preferuar e sulmuesit fierak ka qenë Besa e Kavajës, skuadër së cilës i shënoi 7 gola në 3 ndeshje. Në total gjatë këtij kampionati, Gjata ka luajtur 1575′ në 18 ndeshje, duke shënuar 1 gol në çdo 98.4 minuta.

“Ka qenë një sezon që më ka shijuar shumë. Skuadra jonë ka zhvilluar një kampionat të jashtëzakonshëm. Ka qenë një garë e fortë dhe e hapur gjer në fund dhe për këtë meritë kanë edhe kundërshtarët tanë, Pogradeci dhe Lushnja. Ne treguam epërsinë tonë në momentin e duhur, sidomos në dy fazat e fundit. Nëse do të bënim një analizë të skuadrës sonë nga fillimi e gjer në fund, e them pa hezitim se Apolonia arriti të bëhej një skuadër e konsoliduar, bindëse në lojën e saj dhe më e pjekur. Arritjen time nuk e shoh të shkëputur nga ajo e skuadrës, pasi nuk mund t’ia dilja pa ndihmën e shokëve. Unë jam sulmues dhe detyra ime është që të bëj gola. Patjetër që është kënaqësi të shpallesh shënuesi më i mirë, por unë e kam thënë gjatë gjithë kohës në intervistat e mia të mëparshme: asnjë trofe personal nuk do të kishte vlerë pa u ngjitur në elitë.
Mario Gjata
E ardhmja ime? Unë jam lojtar i Apolonisë dhe nuk më pëlqen të flas më shumë për këtë çështje. Nëse ka oferta apo interesime nga skuadra të tjera, ato do të shqyrtohen dhe diskutohen me klubin dhe unë nuk marr asnjë vendim në asnjë moment pa miratimin e klubit. Por, e theksoj, unë jam lojtar i Apolonisë dhe kjo fanellë do të ishte zgjedhja ime e parë”, ka përfunduar “Këpuca e Artë” e Kategorisë së Parë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"