Gola, udhëheqje e karizëm. Bonuçi-Ikardi, një duel “luanësh” në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2018 | 10:21

Gola, udhëheqje e karizëm. Bonuçi-Ikardi, një duel “luanësh” në derbi

Të pashëm, guximtarë, me raste arrogantë e tanimë kapitenë të dashur në mënyrë unanime nga tifozëritë e tyre. Leo Bonuçi e Mauro Ikardi, një pjesë e mirë e derbit-Champions i ditës së sotme kalon edhe nga ata: sepse Milani po jeton pikërisht në bazë të soliditetit difensiv, e Interi nga golat e numrit 9. Të dy i afrohen kësaj sfide të karikuar: dopietë kundër Kievos për Mauron, gol me kokë Juves (ish-skuadrës) për Leon.

FBL-ITA-SERIEA-INTER-MILAN-DERBY

Po vërtet, Milani humbi, por “shpëlarja e gojës”, festimi tipik i Bonuçit ka ekzaltuar popullin milanist që ëndërroi edhe fitoren. E duhet thënë që fillimisht nuk ishte e lehtë: Bonuçi në botën e Milanit hyri si “padron”, si lider, si blerje e stërpaguar, si kapiten, me numrin 19 që iu hoq Kesit… Edhe në dhomat e zhveshjes dikush në atë moment përdridhte buzët. Sot jo, sot Leo është kapiteni dhe një pikë referimi për Gatuzon, me të cilin flet shpesh.

Derbi

Një episod të rëndësishëm kaloi edhe Ikardi të shtunën pasdite kundër Veronës. Minuta 4 e pjesës së dytë: bomberi argjentinas dërgon në rrjetë një asist të Perisiçit, firmos rezultatin përfundimtar 3-0 dhe, mbi një tabelë publicitare, përshëndet tifozët e “Curva Nord”. Përgjigjja e ultrasve, e mbushur me entuziazëm, paraqiti “shkrirjen” totale me kapitenin zikaltër pas polemikave post-autobiografisë. Një rrugëtim ky i ripërqafimit me tifozët, i nisur pikërisht në derbin e fazës së parë, me një tripletë që në njëfarë mënyre e bëri “dramatike” mbrëmjen e Bonuçit.

bonuci-ikardi

DUELI – Leo në fakt e ka vuajtur shpesh Ikardin. Ose më mirë, Ikardi ka bërë shpesh fenomenin kundër Juventusit. Sfida Leo-Mauro është interesante, si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Në zonë dueli është shpesh fizik, sepse asnjëri nuk tërhiqet pas. Ndërsa jashtë kanë pika të përbashkëta e diferenca. Bonuçi është një lider i zëshëm, më shumë se Ikardi, por të dy janë shembuj: Leo vuri fytyrën përpara në momentet e vështira të Milanit, ndërsa Mauro kaloi kritikat e tifozëve pa u tërhequr prapa.

TATUAZHET – Gjatë viteve të fundit kanë shkruar historinë e tyre në lëkurë me jo shumë ndryshime. Bonuçi ka bërë tatuazh numrin 19 (për të më shumë se një shifër në fanellë), një falënderim (gjuhën angleze) për Zotin, një spirancë në shenjë miqësie dhe shkrimin “per aspera ad astra”: përmes vështirësive drejt yjeve. Ikardi është i famshëm mbi të gjitha për tre luanët, që mbulojnë të gjithë kraharorin së bashku me emrat e vajzave, Françeska e Izabela.

bonucci-icardi-inter-milan_1vpdhp9v3c8xe1khzigxq1pntu

Numri 19 ndodhet edhe në trupin e Mauros, me datën e lindjes së Françeskës. Më pas, mbi të gjitha, luani: për Ikardin është një shenjë dominuese, por edhe Bonuçi e konsideron një kafshë-simbol. Në krahun e djathtë ka bërë tatuazh dy, që përfaqësojnë djemtë, Lorenco e Mateo (dhe ky i fundit ka kuptuar edhe çdo të thotë të luftosh).

SHIFRAT – Koka, trupi e tani… këmbët, që në këtë histori ndikojnë më shumë se çdo gjë tjetër. Bonuçi me pasime e markime ka ndërtuar një koleksion trofesh. Kurrikulumi flet për shtatë tituj: gjashtë me Juven e një me Interin (në sezonin 2005-’06, atë të “Calciopoli”-t). E më pas tri Kupa Italie, tri Superkupa italiane, dy finale të Ligës së Kampionëve (të humbura, kundër Barcelonës e Realit të Madridit), vendi i dytë në “Euro 2012” me Italinë, i treti në Kupën e Konfederatave 2013.

Pa harruar edhe gëzimet personale: në sezonin 2016-’17 u përfshi në 11-shen ideale të UEFA-s për Champions-in dhe me mbrojtjen e Juves ka rekordin e pathyeshmërisë në Serinë A: 973 minuta. Milani e kërkoi edhe për gjithë këto. Ikardi nuk ka fituar ende asgjë, por përgjigjet me gola, shumë gola, mbi të gjitha në raport me moshën. Ka festuar 113 herë në 206 ndeshje si profesionist: 102 me zikaltrit dhe 11 (një në Serinë B) me Sampdorian.

Këtë sezon ndodhet në kuotën 24 në 25 ndeshje kampionati dhe në sezonin 2014-’15 u shpall kryegolashënuesi i kampionatit. Episodi i ri i duelit është spektakël i pastër: dy kapitenë kundër, vetëm njëri do shkojë në shtëpi i qeshur. Në zonë, vend vetëm për një luan.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"