“Gola falas për Partizanin”, Ngjela: Në derbi i dëmtoi arbitri, duhet kthesë në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2020 | 10:05

“Gola falas për Partizanin”, Ngjela: Në derbi i dëmtoi arbitri, duhet kthesë në Shkodër

Ndonjëherë duhet të kthesh kokën pas dhe të shohësh se ku ke qenë, për të qenë më i qartë se ku dëshiron të mbërrish. Kjo vlen edhe për kampionët në fuqi, Partizanin. Nuk e kemi fjalën ku ishte vjet, por ku ishte shumë vite më parë dhe çfarë ndodhte atëherë kur lojtarët as nuk paguheshin. Një ndër ta ka qenë Marius Ngjela, që më së shumti shënonte pa u paguar. Mbase Solomon, Braun, Bardhi, apo edhe shumë të tjerë në ekip, duhet ta dinë se për këtë skuadër është luajtur edhe “falas”.Ngjela Partizani

Sepse po flasim për Partizanin, një klub simbol të Shqipërisë, që në momente të vështira ka nevojë edhe për sakrificën e atyre që veshin fanellën dhe zbresin në fushë. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi u bën thirrje disa prej lojtarëve kryesorë që të marrin në dorë fatet e skuadrës.

Para një dekade, kur ju ishit sulmues i Partizanit, luanit pa u paguar por shënonit, madje edhe në derbi. Ndërsa tani sulmuesit e skuadrës, kryesisht të huajt, marrin nga 7-8 mijë euro në muaj dhe nuk shënojnë. Si e shpjegoni këtë ndryshim të madh?

Dihej ajo kohë kur të gjithë sakrifikuam për Partizanin. Ishin kohë të vështira dhe kurrë mos ardhshin më situata të tilla. Në atë kohë që përmendni, unë isha pjesë e një Partizani në krizë financiare. Ne pasi pranuam të mbanim veshur fanellën e kuqe, edhe pse nuk paguheshim, vendosëm të sakrifikonim. Në atë kohë përkushtimi ynë ishte për të nderuar fanellën e Partizanit dhe tifozët e mrekullueshëm, që ishin mbështetja e vetme si në stadiume dhe jashtë saj.

Ndërsa tani ngërçi mbase vjen edhe nga fakti se sulmuesit janë të huaj, nuk para e ndiejnë shumë rëndësinë e fanellës apo mentalitetin e Partizanit. Por, ata janë të qetë në aspektin financiar, pasi financat i kanë të sigurta dhe të majme. Partizani ka bërë shumë ndryshime dhe këto gjëra nuk më kanë pëlqyer dhe pa dyshim ato po pasqyrohen edhe tani. Pastaj, Partizani nuk është se ka ndonjë ekip të keq dhe humbja në derbin e fundit nuk është etalon.

Pse, si e patë derbin e fundit të Partizanit?

Derbi nisi që në sekondat e para me raste kundër Partizanit. Për mua ishte penallti e padhënë që në minutën e parë, pasi Vangjeli e preku me dorë topin që po shkonte drejt portës. Ndonëse u tha që Kristi nuk e kapi me dorë, ajo ishte penallti neto, aq më shumë që topi po i drejtohej portës. Nëse do të ishte përdorur ai standard i minutës së parë, mendoj se Partizani nuk e meritonte humbjen 5-1 në derbi.

Derbi lë pasoja në vazhdim dhe këtë po e provon Partizani…

Derbi më shumë përjetohet nga tifozët, të cilët janë më të prirë që të mposhtin rivalin historik sesa të dalin kampionë. E pranojnë që fitimin e titullit ta shtyjnë për vitin pasardhës, por jo humbjen në derbi. Ndaj tifozët janë ata që e përjetojnë më rëndë humbjen në ndeshje të tilla.

Edhe ekipi po përjeton të njëjtën gjë, pasi që nga humbja në derbin e fazës së dytë nuk kanë pasur ecuri të mirë…

Është e vërtetë, pasi Partizani është në atë periudhën “jo”. Pra, jo se nuk kanë ekip të mirë, por klubi po kalon momentin “jo”.Ngjela

A mund të rrezikojnë edhe Europën me këtë ecuri, pasi titulli është thuajse i pamundur tani?

Europën besoj se do ta arrijnë. Ky ka mbetur objektivi i mundshëm për Partizanin në këtë moment. Ekipi duhet të mblidhet tani dhe të përqendrohet për të arritur këtë synim minimal. Bileta europiane e Partizanit nis nga ndeshja që do të luajnë me Vllazninë. Pra, turi europian i “demave” nis nga Shkodra. Me Vllazninë është ndeshje shumë e rëndësishme dhe që duhet vlerësuar maksimalisht nga skuadra.

Te mangësitë e sulmit, mos ndoshta po ndikojnë edhe gabimet e shumta që po shfaq Partizani këtë sezon në mbrojtje?

Është e vërtetë që kanë gabuar shumë në këtë periudhë në mbrojtje. Nuk mund të flas me kompetencë se nga vjen kjo pasiguri në mbrojtje, pasi nuk jam në brendësi të skuadrës. Ndryshimet e trajnerëve kanë ndikimin e tyre, pasi pasiguria më e madhe në mbrojtje ka ardhur pas ardhjes së Sormanit në krye të Partizanit.

Janë prishur shumë ekuilibrat në krahasim me sezonin e shkuar dhe lojtarët nuk po shprehen si duhet. Edhe dëmtimet e pezullimet kanë pasur peshën e tyre në këtë problem. Partizani nuk ka as stol këtë sezon. Stoli nuk është si vjet, pasi lojtarët që hynin arrin të bënin ndryshimin dhe shpeshherë rezultatet kanë ardhur nga lojtarët zëvendësues.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"