Gola dhe tension në Berat, ish-presidenti hesht stadiumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2019 | 9:56

Gola dhe tension në Berat, ish-presidenti hesht stadiumin

Tjetër hap i gabuar i Tomorit, këtë herë në shtëpi. Një gabim i pafalshëm, teksa beratasit kryesonin 3-1, por pësuan 2 gola dhe morën vetëm 1 pikë. Në këtë ndeshje ka ndodhur gjithçka, lojë e fortë, gola e kartonë.

Tomori-Maliqi

Ndeshja nis e shpejtë dhe Çeliku rrezikon i pari për Maliqin. I menjëhershëm reagimi i beratasve, që kalojnë në avantazh me Dervishin pas 4 minutash. Ndërhyrje e Marës ndaj Daullexhiut dhe beratasit pretendojnë për penallti, por aksioni vazhdon dhe Dervishi shënon.

Në të 17-ën Kopaçi shënon të dytin. Më pas, Meçollari i shpëton mbulimit të mbrojtësve të Tomorit dhe i vetëm përballë Shumelit bën më të vështirën, gjuan jashtë. Në të 30-ën miqtë fitojnë një penallti me Bashllarin, ndërsa kapiteni Xaka e kthen në gol dhe 2-1.

Kopaçi u shërben bukur Dervishit dhe Daullexhiut, por asnjëri nuk realizon. Në shtesën e pjesës së parë Dervishi finalizon një aksion personal nga e djathta e sulmit dhe 3-1. Duket se fitorja e Tomorit është në “xhep”, por Muçollari realizon sërish për Maliqin.

Tomori gol

Në të 70-ën është Xaka që me kokë barazon shifrat në 3-3. Më pas ka tension dhe loja ndërpritet. Ivani ndërhyn brutalisht ndaj Fejzajt dhe ndëshkohet me karton të kuq, ashtu si Koroveshi që i kërkon llogari futbollistit mik.

Dervishi godet në ecje e sipër, Beshiri grushton dhe Lirëza që ndjek aksionin, shënon, por goli anulohet nga vijërojtësi Muzhaqi. Tension dhe sërish ndërprerje loje. Kështu, mes tensionit përfundon gjithçka 3-3.

Tomori-Maliq 3-3

ISH-PRESIDENTI – Sapo përfundoi ndeshja, kur futbollistët e dy skuadrave po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes, tifozët beratas, mjaft të irrituar për golin e anuluar të Lirëzës, po shanin gjithë zemërim gjyqtarët elbasanas, por edhe ekipin mik. Në këtë moment, nga tribuna VIP ësh të ngritur ish-presidenti i Tomorit, Gramoz Toto, i cili është edhe përfaqësuesi i kryebashkiakut Ervin Demo për skuadrën e futbollit. Me zë të lartë ai u ka kërkuar tifozëve beratas të heshtnin.

“Çfarë keni me ta që i shani? Askush të mos flasë dhe bëni mirë të pushoni. Kush jua ka fajin? Përgjegjësinë kërkojeni te skuadra juaj që nuk di të mbajë fitoren. Nuk dua të dëgjoj asnjë të sharë për skuadrën mike dhe gjyqtarët”, u është drejtuar biznesmeni beratas tifozëve.

Madje, ai ishte gati ta kalonte rrethimin e tribunës për të kontaktuar tifozërinë vendëse, që ka heshtur menjëherë. Më pas ish-presidenti Toto ka shkuar dhe ka uruar skuadrën dhe stafin drejtues të Maliqit. Ka hyrë edhe në dhomën e zhveshjes së Tomorit, ku me zë të lartë ka qortuar futbollistët.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"