Gol rekord në debutim, Manaj: Si e shtanga De Biazin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2015 | 14:27

Gol rekord në debutim, Manaj: Si e shtanga De Biazin

rei manajNdeshja e parë, prekja e parë e topit dhe gol rekord me fanellën kuqezi. Debutim ëndrrash për Rei Manajn në miqë- soren Kosovë-Shqipëri. I aktivizuar në minutën e 55-të, duke zëvendësuar Sokol Cikalleshin, sulmuesi i Interit ka shënuar pa kaluar 12 sekonda nga futja në fushë. Mes rrëmujës në zonën e Kosovës, talenti shqiptar ka futur bukur kokë dhe ka realizuar një gol të veçantë. Natyrisht duke vendosur një rekord më vete sa i përket një lojtari debutues me fanellën e Shqipërisë. Askush më parë nuk ka arritur të shënojë kaq shpejt në debutim, por fati ka qenë me Manajn, që në prekjen e parë të topit ka arritur të realizojë, teksa i kanë mjaftuar 15 sekonda lojë.

Rasti Çani

Përpara se 18-vjeçari Manaj të vendoste rekordin e golit më të shpejtë të një debutuesi, ai mbahej nga një tjetër sulmues me të kaluar në Itali. Pikërisht Edgar Çani, që tani është pjesë e Pizës në Serinë C. Më 2 mars të vitit 2012, kuqezinjtë luanin një ndeshje miqësore në Gjeorgji, teksa trajneri Xhani De Biazi debutonte si trajner i Shqipërisë. Mirëpo, në atë takim, për herë të parë me fanellën kuqezi luante edhe Çani. Pa kaluar tri minuta lojë, sulmuesi shënoi në portën gjeorgjiane, duke bërë një start të frikshëm me fanellën e Kombëtares.

Reagimi

Manaj nuk e fshehu entuziazmin pas ndeshjes me Kosovën, madje duke rrëfyer edhe një bisedë që kishte bërë me trajnerin Xhani De Biazi para se të futej në fushë. Mes emocionesh, i riu me origjinë nga Lushnja deklaroi: “Jam shumë i kënaqur për këtë paraqitje dhe veçanërisht për golin. Sa u futa në fushë shënova dhe nuk ka ku shkon më mirë se kaq. Para ndeshjes, trajneri më kishte thënë se do të luaja në pjesën e dytë. Kur po vinte momenti që unë të futesha në fushë, De Biazi më tha që të tregoja që unë di të bëj më mirë. Unë i thashë i bindur se do të shënoj menjëherë sapo të hyj në fushë dhe ai u habit. Mirëpo, ja që ndodhi siç premtova dhe tashmë jam shumë i lumtur. Pas ndeshjes, u takova sërish me trajnerin, duke i treguar se kisha të drejtë”. Ndërkohë, në bisedën për “Supersport” pas ndeshjes, Manaj tregoi se u dëmtua gjatë një dyluftimi.

“Pas golit u dëmtova dhe nuk dhashë maksimumin tim, sepse mund të rrezikoja shumë. Gjithsesi, çdo gjë shkoi super. Kjo ishte ndeshje vëllazërore dhe mendoj se tifozët kanë mbetur të kënaqur. Shpresoj që të vazhdoj kështu me Kombëtaren”. Golin e parë si kuqezi Manaj ia ka dedikuar familjes dhe veçanërisht motrës së tij, që është edhe ndjekësja më e veçantë e sulmuesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"