Gol nga “tuneli” për Kukësin, Ovusu: Kur më tha agjenti që do shkoja në Shqipëri…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2023 | 17:57

Gol nga “tuneli” për Kukësin, Ovusu: Kur më tha agjenti që do shkoja në Shqipëri…

Vetëm 31 minuta i mjaftuan Xhonson Ovusu për të gjetur rrugën e rrjetës në futbollin shqiptar dhe te Kukësi, duke bërë kështu një debutim ëndrrash me verilindorët, për më tepër që u shënoi kryesuesve të kampionatit dhe kampionëve në fuqi të Tiranës.

ovusu

Ganezi 24-vjeçar, që ka firmosur për dy sezone e gjysmë me blutë, pohon në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, se e priste të realizonte në debutim, duke mos e fshehur gëzimin. Sulmuesi i majtë kërkon një tjetër sukses, kësaj here në Kupë ndaj Apolonisë, ku do të përpiqen të sigurojnë kualifikimin. “Po, prisja të shënoja për Kukësin në debutimin tim dhe normalisht jam shumë i lumtur që shënova. Fitorja ishte shumë e rëndësishme për ekipin, kështu që pas ndeshjes, ishim të lumtur që në fund dolëm me tri pikët. Ndeshjen e radhës e kemi në Kupë dhe normalisht do të përgatitemi që të fitojmë për të kaluar në turin tjetër”, u shpreh fillimisht futbollisti.

SITUATA – 24-vjeçari e ka të qartë që Kukësi nuk ndodhet në pozita të mira dhe se çfarë kërkohet nga ky klub. Por gjithsesi, ganezi ka besim se duke bërë të gjithë maksimumin, në fund të edicionit do të kenë arritur aty ku synojnë. “Po, e di që Kukësi nuk është në një pozicion të mirë për momentin, por ne do të bëjmë maksimumin tonë për ta zgjidhur këtë situatë në fund të sezonit”, u shpreh futbollisti i sapoafruar në skuadër, i cili pritet të marrë një rol të rëndësishëm në ekip dhe që u ambientua shumë shpejt me stilin e lojës së Kukësit dhe pritet të jetë një vlerë e shtuar në organikën e verilindorëve.

SHQIPËRIA – Edhe pse ka vetëm pak ditë në vendin tonë dhe te Kukësi, Ovusu pohon se ndihet mirë, pasi të gjithë janë përpjekur ta mbajnë afër dhe janë sjellë mirë. Në vijim, ai pohon se në momentin që mësoi se i doli një opsion për të luajtur në vendin tonë, kontaktoi me futbollistë që kanë luajtur këtu dhe i thanë fjalë të mira, duke ia bërë më të lehtë zgjedhjen.

“Kur agjenti im më tha që do të shkoj në Shqipëri, vendosa të telefonoj disa miq që kanë luajtur këtu më parë. Ata thanë se këtu është mirë, pasi lojtarët e rinj kanë mundësinë të tregojnë talentin e tyre. Për këtë arsye vendosa që t’i jepja dakordësinë agjentit tim dhe tani jam këtu. Që kur erdha në Shqipëri, të gjithë janë sjellë mirë me mua, kështu që jam shumë i lumtur që ndodhem këtu”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën ganezi Xhonson Ovusu.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"