Gol në “Stamford Bridge”, Broja: Ishte vetëm i pari, ma anuluan pa të drejtë atë me roveshatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2020 | 11:19

Gol në “Stamford Bridge”, Broja: Ishte vetëm i pari, ma anuluan pa të drejtë atë me roveshatë

Një gol nën projektorët e atij që ëndërron të jetë në të ardhmen e shpejtë skena e çdo fundjave të karrierës, për më shumë pas kontratës si profesionist, që firmosi me blutë e Londrës vetëm 10 ditë më parë. Armando Broja diti se si të linte gjurmën e parë të fortë në “Stamford Bridge”, jo vetëm duke shënuar golin e vetëm dhe të fitores ndaj Milluollit, i cili i garantoi gjysmëfinalen e “FA Cup” për të rinjtë, por mbi të gjitha pa një “perlë” me roveshatë që t’i anulohej, shumë e ngjashme me atë të Ronaldos që i realizoi Juventusit dy vite më parë, të cilin talenti shqiptar nuk e pranon.88065243_524673791431691_4140200082223923200_n

Gjithsesi, për yllin më të ri të Çelsit faqet e para ishin të garantuara, sepse goli i 20-të sezonal ishte me shumë peshë, por i pari në “Stamford Bridge” nuk do të harrohet kurrë, siç nënvizon vetë 18-vjeçari. Dhe deri në pritje për të mësuar nëse në gjysmëfinale të “FA Cup” do të gjejnë Mançester Junajtid ose Uiganin, Broja tregon emocionet e shfaqjes së parë në “Stamford Bridge” dhe ato të ndeshjes së firmosur nga sulmuesi kuqezi.

Armando, cilat ishin ndjesitë e kësaj fitoreje të rëndësishme?

Ishte një fitore mahnitëse. E dinim që do të kishte qenë e vështirë, por sigurisht që donim ta nderonim siç duhej përvojën fantastike për ne të rinjtë, që të luanim të parën në “Stamford Bridge”, për mua dhe disa prej shokëve të mi. Për sa i përket fitores, ajo kishte një rëndësi të madhe dhe festa, atmosfera ishte shumë e fortë pas vërshëllimës finale, si për ne lojtarët, ashtu sikurse për trajnerët, pasi kalimi në gjysmëfinalet e Kupës do të thotë se do të kemi një tjetër shans që të luajmë në “Stamford Bridge”. Por mbi të gjitha, fakti që jemi kaq pranë finales, shpresojmë t’i shkojmë deri në fund “FA Cup”-it.

Çfarë simbolizon për ju të rinjtë të luani në stadiumin e skuadrës së parë?

Ishim të lumtur si fëmijë. Unë të paktën kështu u ndjeva, sepse e kisha ëndërruar gjithmonë që të luaja në “Stamford Bridge”. Gjithçka ishte e shkëlqyer, gjithçka shkoi në mënyrën e duhur… Sepse të shënosh në një stadium si ky, për më tepër pasi shkela për herë të parë, ishte vërtet fantastike. Në të njëjtën kohë, jo vetëm paraqitja që bëmë në fushë, por edhe atmosfera që krijoi tifozëria ishte speciale. Nëse tifozët e Milluollit ishin shumë të gjallë, tifozët tanë ishin të mahnitshëm. Dhe e gjithë kjo na bëri që secili prej nesh ta shijonte edhe më shumë fitoren e rëndësishme që arritëm.87943513_197474994803819_904412901563957248_n

Jua anuluan një gol me roveshatë, por arritët të shënoni edhe atë të fitores. Na i analizoni të dyja rastet?

Personalisht mendoj se arbitri duhet ta kishte akorduar golin e parë timin. Nuk pashë ndonjë veprim të gabuar në roveshatën që bëra, por në të njëjtën kohë nuk mund të lejoja që ky rast të më demoralizonte, edhe pse ishte një gol shumë i bukur. Prandaj, e kërkova, e doja që të vija emrin tim në listën e golashënuesve dhe ia arrita. Të shënoja golin tim të parë në stadiumin tonë ishte fantastike, e pashpjegueshme, por shpresoj dhe dua që të lë të tjera gjurmë të miat në “Stamford Bridge”.

Jeni në gjysmëfinalet e “FA Cup”. Preferoni Junajtidin apo Uiganin?

Ne duhet të përgatitemi vetë sa më mirë që të jetë e lumtur. Detyra jonë është që të stërvitemi dhe të jemi psikologjikisht gati në çdo moment. Gjejmë përballë Junajtidin apo Uiganin ka pak rëndësi, pasi ndaj cilitdo objektivi është fitorja dhe arritja në finalen e Kupës së turneut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"