Gol dhe i kuq i anuluar, Jorgjin e ndihmon VAR-i/ Sa shumë moviolë në duelin Egnatia-Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2023 | 21:19

Gol dhe i kuq i anuluar, Jorgjin e ndihmon VAR-i/ Sa shumë moviolë në duelin Egnatia-Vllaznia

Një ndeshje e çmendur në Rrogozhinë sa u përket rasteve të diskutueshme. FSHF i kishte besuar ndërkombëtarit Enea Jorgji, ndërsa në VAR ishin Olsion Yzeiraj dhe Emanuela Rusta. Pati gol të anuluar për shkodranët, por gjithashtu dhe një karton të kuq që u kthye më pas në të verdhë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet për moviolë.

bandicam 2023-05-10 14-05-15-396

3’ Duel në anësore mes Mustës dhe Çobës, teksa ky i fundit me taka të ngritura, shkelm me të majtën këmbën e kundërshtarit. Gjyqtari Jorgji ndëshkon direkt me karton të kuq sulmuesin e Vllaznisë, duke e konsideruar si një ndërhyrje të rëndë.

Mirëpo, pas protestave të lojtarëve shkodranë dhe vetë Çobës, Jorgji shkon të shikojë rastin në monitor pas këshillimit me Olsion Yzeirajn dhe Emanuela Rustën në dhomën e VAR-it. Arbitri kryesor kthen vendin e marrë vetë në fushë dhe anulon kartonin e kuq për Çobën, duke i dhënë vetëm të verdhë.

Të njëjtin karton jep për shkak të protestave edhe për drejtorin sportiv të Vllaznisë, Vioresin Sinani, i cili ishte në pankinë.

14’ Çoba futet në zonë dhe driblon Mustën dhe Memollën, e më pas godet tokazi me të majtën dhe ia kalon topin poshtë këmbëve portierit Sherri. Për arbitrat në fushë është gjithçka e rregullt dhe lojtarët shkodranë festojnë golin e avantazhit.

Mirëpo, në pritje të konfirmimit nga sistemi VAR, Jorgji sinjalizohet se kemi të bëjmë me pozicion jashtë loje të Latifit në momentin e goditjes së Çobës, teksa kosovari i zë rrezen portierit Sherri. Jorgji shkon të shikojë vetë rastin në monitor dhe anulon menjëherë golin.

62’ Çoba lëviz mirë brenda zonës dhe rrëzohet në përpjekje për të shmangur Mustën. Sulmuesi i Vllaznisë kërkon penallti, por Jorgji vijon lojën, duke qenë i bindur për diçka të tillë. Pamjet filmike i japin të drejtë arbitrit, me Çobën që ka kërkuar kontakt dhe Mustën që ka qenë statik, duke mos e penguar.

86’ Hakaj në krahun e majtë tenton të krosojë në zonë, por topi devijohet me pjesën e bërrylit nga Fangaj, i cili e kishte dorën të mbledhur dhe Jorgji vijoi lojën, edhe pse shkodranët kërkuan penallti. Pamjet filmike i japin të drejtë arbitrit kryesor.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"