Gol dhe asist ndaj Kastriotit, kapiteni Shameti ka një dedikim special

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2018 | 20:00

Gol dhe asist ndaj Kastriotit, kapiteni Shameti ka një dedikim special

Një gol me kokë dhe një asist për Melon. Ylli Shameti tregon edhe një herë se është një lider te Kukësi dhe kur nuk shënon Rexhinaldo, menjëherë kapiteni shfaqet si hero. Ndaj Kamzës i dha fitoren Kukësit, ndërsa dje kundër Kastriotit, skuadrës ku ai ka luajtur disa vite, jo vetëm shënoi, por dha edhe asist. Pas ndeshjes, në bisedën për “Panorama Sport” qendërmbrojtësi theksoi se nëse nuk do të fitohej ky takim, atëherë do të ishte si fundi i botës për Kukësin. Shameti pritet të bëhet baba për herë të dytë dhe për këtë ka një dedikim special.

Shameti

Me shumë vështirësi, por arritët ta fitonit takimin me përmbysje…?

Vështirësia sfumohet kur në fund morëm tri pikët, pasi në këtë moment ishin jashtëzakonisht të rëndësishme.

Gol dhe asist, çfarë ndjesie është për një mbrojtës?

Mendoj që me Kukësin kam bërë një sezon me 5 gola edhe 6 asiste, pikërisht kur fituam edhe Kupën, kështu që nëse e kaloj atë si rekord, atëherë do të ishte diçka e mirë për mua. Uroj që të vazhdoj kështu, duke e ndihmuar ekipin në çdo moment. Kjo e fundit është më e rëndësishme se statistikat. Kërkoj maksimumin në çdo ndeshje, nga vetja së pari dhe pastaj nga shokët.

Shkuat për të festuar te tribuna qendrore, ka diçka të veçantë?

Jo, asgjë e veçantë nga tribuna. Golin ia dedikoj bashkëshortes, sepse do më sjellë në jetë një fëmijë tjetër. Ajo është pikë referimi në karrierën time.

Për mënyrën se si rrodhi ndeshja, Kastrioti u duk sikur humbi dy pikë. Jeni dakord?

Shikoni, do ishte fundi i botës nëse nuk do kishim marrë tri pikët sot (dje). Unë si kapiten që jam, pa dyshim duhet të mbaj një barrë të madhe dhe besoj deri tani ia kam arritur. Shpresoj të vazhdojmë kështu me fitore.

Jeni 34 vjeç, e keni menduar ndonjëherë kur mund të ndaleni?

Për mua s’ka limite në futboll. Nëse je një lojtar profesionist, si brenda edhe jashtë fushe, atëherë qëndron gjatë. Synimet e mia shkojnë paralel me synimet e klubit dhe presidencës.

OK, por me dy rivalët direktë keni humbur…?

Do të jetë një kampionat i fortë deri në fund, por ne jemi Kukësi dhe do të luftojmë deri në sekondën e fundit. Akoma është herët për të folur, por duhet të punojmë fort për të mos bërë gabime, me qëllim që kur të jemi në fazën finale, të ecim më marshe më të larta për të kaluar çdo kundërshtar. Jemi me këmbë në tokë, i dimë të mirat dhe të këqijat, kështu që kjo e bën Kukësin ekipin më të fortë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"