Gol blic, Kukësi parakalon Laçin. Starova: Morëm 3 pikë të arta, tani mundim Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2014 | 12:55

Gol blic, Kukësi parakalon Laçin. Starova: Morëm 3 pikë të arta, tani mundim Tiranën

Kukesi-Laci, kapitenet para ndeshjes me gjyqtaretKUKËSI-LAÇI   1-0
GOLAT: Cikalleshi 3′
KUKËSI: Halili, Malota, Brahja, Smajli, Hallaçi, Uçe, Shameti, Progni, Cikalleshi, Izuçuku (Thorja 78′), Hysa. Trajner: Sulejman Starova
LAÇI: Ujka, Buljan, Çela, Sefgjini, Thana (Danaj 80′), Teqja, Kehinde, Vucaj, Zefi, Tanushi (Malo 76′), Bërkiç. Trajner: Stavri Nica
KARTON I VERDHË: Thorja 88′ Delegat: Millan Baçi (Tiranë);
VËZHGUES: Arian Mali (Patos)
GJYQTARET: K.Cjapi, I.Tartari (Fier), N.Rrapaj (Patos)

MINUTAT
3′ Kapiteni Progni kroson bukur një top nga mesi i fushës dhe gjen të lirë Cikalleshin në zonë, i cili pasi kalon Buljan, përballë portierit Ujka nuk e ka të vështirë të shënojë. Dhe 1-0 për Kukësin.
12′ Bërkiç ka një mundësi të mirë brenda zone, por goditja e tij është e gabuar.
28′ Vucaj gjuan nga një goditje dënimi nga rreth 30 metra, por topi kalon mbi traversën e Halilit.
57′ Uçe nxjerr të lirë Hysën, i cili me gjithë sprintin e bukur dhe gjuajtjen nuk arrin të shënojë, pasi topi pritet nga Ujka.
60′ Sefgjini gjuan nga distanca, por Halili pret i sigurt.
66′ Hysa fut një top në zonë, por Progni e Cikalleshi nuk e zotërojnë atë, duke shpërdoruar një moment të mirë.
88′ Bërkiç ka një shans të artë, teksa bëhet gati të gjuajë brenda zone, por e prek topin me dorë dhe aksioni ndalet nga arbitri.

Kukësi nuk fal në shtëpi, mund minimalisht Laçin dhe e sheh veten në vendin e dytë pas shumë ecejakesh, me vetëm 9 pikë larg kreut. Në tetë ditë kuksianët kanë arritur tri fitore në fushën e tyre, ndërkohë që ndeshja e djeshme shënon një rekord jo nga golat, por nga koha e shënimit, ku në pjesën më të madhe nuk zhbllokohen duke vuajtur deri në fund. Të besuarit e Starovës e kanë parë veten në avantazh që në minutën e tretë të sfidës, duke e ruajtur këtë rezultat deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Nga ana tjetër, Laçi, ndonëse me mungesa, zhvilloi një lojë mesatare dhe nuk mundi të ngjitej në lartësinë e javëve të fundit.
Pjesa e parë Kukësi e nis me gol, në një aksion që e ka pikënisjen në mesin e fushës edhe kur nuk pritej një shpërthim kaq i shpejtë. Kështu, në minutën e 3-të, Uçe pason në mesfushë te Progni, i cili i gjendur afër mesit të fushës bën një rrotullim me topin dhe sheh të lirë në zonë Cikalleshin. Ky i fundit, i gjendur përballë portierit Ujka, nuk e ka të vështirë të shënojë tokazi, duke evituar hedhjen e portierit të Laçit. Dy minuta më vonë është sërish Cikalleshi, që përparon në zonë, por preferon të pasojë te Hysa, i cili i gjendur brenda zonës gjuan, por topi ndalet nga një mbrojtës i Laçit. Skuadrat respektive luajnë më shumë në mesfushë, ndërkohë që në një dalje për laçianët, Bërkiç gabon para porte. Të njëjtin gabim bën dhe Progni në një goditje dënimi. Mesfusha e Kukësit, ndonëse me mungesa të Musollit, Allmuçës dhe Hoxhës, ky i fundit me karton, mundohet të kombinohet. Izuçuku, Progni, Shameti dhe Uçe ndërtojnë aksione që nuk arrijnë deri te finalizimi. Nga ana e tyre, laçianët kanë një lojtar të fortë si Vucaj, por dhe Kehinde, të cilët japin sinjale organizimi të lojës. Por, Mlladen Bërkiç është larg lidhjes me topin. Kuksianët do të shkonin në dhomat e zhveshjes me avantazhin e një goli.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë thuajse është i njëjtë me të parin, por me ndryshim se krahu i djathtë i Laçit me Zefin dhe Thanën krijon më shumë volum loje. Në 10 minutat e para janë ndërtime aksionesh nga dy palët deri në zonat e rreptësisë së dy kundërshtarëve. Në minutën e 13-të Uçe nxjerr mjaft bukur të lirë Hysën, i cili vërshon nga krahu i majtë, por gjuajtja e tij pritet nga Ujka. Dy minuta më vonë është Sefgjini, i cili ekzekuton një goditje të fortë dënimi, por është Halili që e ndal topin. Në minutën e 66- të Hysa, i cili shquhet për shkathtësinë dhe pështjellimin që sjell në zonën e kundërshtarit, fut një top të bukur në zonë, por nuk shfrytëzohet nga Progni dhe Cikalleshi. Në minutat e mbetura në lojë është dhe Malo, ishlojtari i Kukësit, por vetëm një gjuajtje në drejtim të portës dhe një kros i gabuar u shënuan për të. Në të 88-ën minutë Bërkiç ka një rast në zonë, por në tentativë për ta zotëruar topin, e prek me dorë atë. Kështu, me fitoren minimale të kuksianëve është mbyllur takimi.

MË I MIRI
Sikol Cikalleshi, sulmuesi i Kukësit, ishte pa dyshim lojtari më i mirë në takimin e djeshëm. Jo vetëm se shënoi atë gol me vlerë trepikëshe, porse ishte i lëvizshëm në fushë dhe kontribues në ndërtimin e aksioneve. Për lojtarin, ky ishte goli i pestë radhazi në katër ndeshjet e fundit, ndërkohë që në total ka shënuar 6, ndërsa në kupë 4 gola.

MË PAK AKTIVI
Sulmuesi i Laçit, Mlladen Bërkiç, ka qenë më pak aktivi në takimin e djeshëm, duke mbetur hija e vetvetes. Ndonëse pritej shumë prej tij, Bërkiç nuk mundi ta rrezikojë portën e Halilit. Kjo edhe për faktin se pak topa pati në dispozicion, megjithëse edhe ata që pati nuk i shfrytëzoi si duhet. Një paraqitje të dobët bëri edhe Buljan.

sulejman starova; trajner_1“Morëm 3 pikë të arta, tani të mundim Tiranën”
Numri një i pankinës së Kukësit, Sulejman Starova, në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit të djeshëm u shpreh se morën një trepikësh mjaft të vlefshëm, që i pozicionon tashmë në vendin e dytë. Starova ka bërë të ditur se tashmë u duhet të kalojnë një tjetër betejë, siç është sfida me Tiranën. “Morëm tri pikë shumë të vlefshme, që na ngjisin në vendin e dytë. Ne luajtëm më mirë se kundërshtari dhe arritëm ta zhbllokojmë rezultatin që në minutat e para. Kemi arritur tri fitore radhazi në fushën tonë dhe një betejë e vështirë na pret tashmë me Tiranën. Është një kundërshtar që kërkon të ngjitet, por pavarësisht pozicioneve dhe objektivave të ndryshme që kemi, ne do të stërvitemi fort dhe do shkojmë në Tiranë vetëm për fitore”.

“Nuk kishim fat, ndikuan mungesat e shumta”
Numri dy i pankinës së Laçit, Ardian Laska, pas përfundimit të takimit, në konferencën për shtyp, u shpreh se nuk u buzëqeshi fati dhe as 3 pikët ndaj Kukësit. Ai pohoi se te loja e kurbinasve ndikuan edhe mungesat e shumta që kishin si pasojë e dëmtimeve apo edhe ndëshkimeve. “Ne nuk na buzëqeshi fati dhe as tri pikët në takimin e sotëm (dje) me Kukësin. Kundërshtari luajti më mirë dhe zhvilloi një volum më të madh loje se ne gjatë gjithë 90 minutave. Tek ne ndikuan edhe mungesat që kishim, qoftë për shkak dëmtimesh apo edhe nga ndëshkimet. Megjithatë, kemi shumë ndeshje që na presin dhe duhet të shohim vetëm përpara për të realizuar objektivin tonë në këtë sezon”, – ka përfunduar zëvendëstrajneri i Laçit, Laska.

Cikalleshi: Jam në formë, s’do ndalem me kaq
Sulmuesi kavajas i Kukësit, Sokol Cikalleshi, pas ndeshjes në një bisedë për “Panorama Sport” u shpreh i kënaqur për golin e shënuar. Ai premtoi se nuk do të ndalet me kaq, por do të vazhdojë të realizojë edhe në ndeshjet e tjera. “Më në fund jemi në vendin e dytë dhe merita është e të gjithëve, jo vetëm e imja, edhe pse shënova gol. Loja po vjen gjithnjë e në rritje dhe më vjen mirë që edhe unë tashmë jam zhbllokuar. Kam shënuar pesë gola në katër ndeshje radhazi. Më vjen mirë edhe për tifozët që mbushën stadiumin dhe shijojnë fitoret e njëpasnjëshme, – ka përfunduar sulmuesi Cikalleshi.
JONUZ HALLAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"