Goga godet në merkato, firmos me shtatlartin Hysenagolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 17:04

Goga godet në merkato, firmos me shtatlartin Hysenagolli

Goga Basket nuk kërkon të hum basë kohë dhe ka filluar tashmë të lëvizë në merkato, për të pasur një ekip sa më të kompletuar për sezonin 2020-2021. Ekipi privat nga Durrësi ka finalizuar së fundmi një goditje tepër të rëndësishme, teksa ka nënshkruar me Endrit Hysenagollin.

Basket-Goga-e1591258152923

Një afrim i bujshëm për Gogën, që tashmë do të ketë në dispozicion një prej lojtarëve më të mirë të qendrës që Superliga ka pasur në dekadën e fundit. Hysenagolli dy vitet e fundit është aktivizuar te Teuta, ndërsa tashmë kalon në radhët e rivalëve të Gogës. Shtatlarti kryeqytetas prej shumë vitesh është gjithashtu pjesë e ekipit kombëtar. Një lojtar me shumë eksperiencë, i cili pritet të jetë një pikë referimi për skuadrën që drejtohet nga trajneri Melzin Lazimi.

Përveç Hysenagollit, Goga Basket ka nënshkruar gjithashtu edhe me Klein Strazimirin, një tjetër lojtar që është pjesë e Kombëtares shqiptare të basketbollit, i cili vjen nga Partizani. Por, merkatoja e skuadrës bregdetare nuk përfundon këtu, pasi drejtuesit e klubit bëjnë me dije se në ditët e ardhshme do të zyrtarizohen të tjera goditje të rëndësishme.

Endrit Hysenagolli

Menjëherë pas firmës me skuadrën Goga Basket, në një prononcim për “Panorama Sport”, Hysenagolli shpjegoi vendimin për të kaluar në spondën tjetër durrsake, si dhe objektivat me ekipin e tij të ri: “Kam kaluar dy sezone shumë të mira te Teuta, si në aspektin personal ashtu dhe ekipor, por këtë vit vendosa të luaj për ekipin e Goga Basket. Do jetë një eksperiencë e re dhe synimi im është që të fitoj çdo kompeticion ku do të marrim pjesë.

endrit hysenagolliii

Kam pasur oferta nga disa ekipe, por zgjodha të luaj për Goga Basket dhe shpresoj që t’i arrijmë objektivat e vendosur”, tha 32-vjeçari. Në fund Hysenagolli komentoi gjithashtu edhe zyrtarizimin e Ligës Unike, kampionatit të përbashkët me klube nga Shqipëria dhe Kosova: “Liga Unike besoj se është një diçka shumë e mirë si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën. Mendoj se do të ndihmojë në rritjen e nivelit të basketbollit shqiptar. Jam i lumtur që dy vendet bashkohen në një ligë”, përfundoi Hysenagolli.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"