Goga Basket pa mëshirë ndaj Eagles, Teuta thyen Tiranën. Vllaznia, fitore me vuajtje kundër Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2021 | 21:49

Goga Basket pa mëshirë ndaj Eagles, Teuta thyen Tiranën. Vllaznia, fitore me vuajtje kundër Partizanit

Superliga e basketbollit të meshkujve vijon me ndeshjet e sezonit të rregullt, teksa pasditen e së shtunës u zhvilluan takimet e javës së nëntë. Goga Basket nuk ka aspak ndërmend ta ndalë ecurinë e shkëlqyer në këtë sezon, duke koleksionuar triumfe të njëpasnjëshme dhe mbetet ekipi i vetëm i pathyeshëm. Fitorja e radhës për të besuarit e Melzin Lazimit erdhi kundër modestëve të Eagles në shifra të thella 140- 63.

Goga Basket

Ndonëse ishte një takim në transfertë, skuadra bregdetare e luajti në shtëpi, pasi siç dihet Eagles kanë mbetur pa sallë këtë sezon dhe po enden sa në një pallat sporti në tjetrin. Për sa i përket ndeshjes, ajo nuk pati shumë histori. Goga dominoi gjithçka duke e rritur epërsinë nga një periodë në tjetrën, për ta mbyllur lojën me 77 pikë avantazh. Gjashtë lojtarë të Gogës regjistruan statistika dyshifrore në realizimin e pikëve, teksa më produktivi ishte Lilaj me 34.

Goga2

Për “shqiponjat” e Klarent Dedajt, shënuesi më i mirë ishte Pylla me 23 pikë, i cili vijon të shkëlqejë në aspektin personal, ndonëse skuadra duket se e ka prerë biletën për një kategori më poshtë. Një ndeshje shumë e bukur ishte sfida mes Teutës dhe Tiranës, ku vendësit triumfuan 91-81 në “Ramazan Njala”.

Durrsakët e filluan më mirë lojën, duke e fituar periodën e parë 24-13, ndërsa Tirana reagoi në 10-minutëshin e dytë, të cilin e fitoi 23-21 me skuadrat që shkuan në pushim në shifrat 45-39 për Teutën. Në dy periodat e mbetura kishim ekuilibër të plotë në rezultat, teksa fraksioni i tretë dhe i katërt u mbyllën respektivisht 20-20 dhe 25-25. Ndonëse e filloi takimin nga stoli, Pelisier, me 19 pikë ishte më i miri në fushë për bregdetarët.

skeda666 logo

Në kampin bardheblu vijon të peshojë mungesa e Shimës, ndërsa në gjysmën e dytë të takimit për Erkand Karajin u shtuan dhimbjet e kokës pasi lojtarët u ngarkuan me shumë faulle personale dhe ai ishte i detyruar të përdorte rrotacion, në një kohë kur stoli nuk i përgjigjet nivelit të titullarëve.

Hysa me 20 pikë ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes dhe lojtari më efikas në radhët e Tiranës. Ndeshja me më tepër rivalitet e javës, ishte përballja e “Asllan Rusit”, aty ku Vllaznia mundi me rezultatin 81-78 Partizanin, sfidë tepër emocionuese deri në sekondat e fundit.

renditja666 logo

“Demat” vinin të përforcuar me dy amerikanë, të cilat i dhanë një tjetër pamje skuadrës. Pjesa e parë u mbyll në ekuilibër të plotë 37-37, me shkodranët që fituan periodën e parë 17-16 dhe kryeqytetasit të dytën 21-20. Pas pushimit Vllaznia u tregua më e saktë, teksa e fitoi periodën e tretë 26-23. Miqtë ja dalin ta ruajnë epërsinë prej 3 pikësh, pasi perioda e fundit mbyllet 18-18. Kuper me 23 pikë ishte lojtari më i mirë për Vllazninë, ndërsa tek Partizani shkëlqyen dy blerjet amerikane Hud dhe Rajt, të cilët realizuan respektivisht 37 dhe 26 pikë.

R.GJINI/A.DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"