Goga Basket nuk njeh rivale, mund Tiranën mes drithërimave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2017 | 10:46

Goga Basket nuk njeh rivale, mund Tiranën mes drithërimave

Goga Basket e nis me fitore fazën e dytë të kampionatit kombëtar të femrave. Durrsaket mposhtën në shtëpi Tiranën me shifrat 79:74. Ashtu siç edhe pritej, u zhvillua një ndeshje shumë e fortë dhe e luftuar. Goga kërkonte të ruante ecurinë perfekte (asnjë humbje) përmes një fitoreje ndaj një rivali direkt, ndërsa Tirana e kërkoi triumfin për të treguar se nuk ka ndër mend të dalë nga lufta për titull.

Tirana - Goga Basket ndeshja

Të dy ekipet kanë kualitete, ndaj niveli i shfaqur në parket është në lartësinë e parashikimeve. Xhanaj ishte protagoniste e periodës së parë duke shënuar shumë, por edhe duke bllokuar disa tentativa të rivaleve. Nga ana tjetër, bie në sy loja e Popoviç. Perioda e dytë nis më një trepikësh të Mehmetit, duke i dhënë shumë entuziazëm ekipit të saj. Nuk zgjat shumë dhe reagon Tirana, e cila jo vetëm barazon, por kalon edhe në avantazh (27:30).

Përpjekjet e vendasve për përmbysje shpërblehen kur një kosh i Aliajt u jep sërish atyre avantazhin (35:34). Rivalitetin e tregojnë edhe shifrat, pasi në fundin e pjesës së parë Goga ka vetëm 6 pikë më shumë (42:36). Pas pushimit është Tirana ajo që ushtron më shumë presion dhe ngushton diferencën në 42:41. Ky rezultat i jep forcë Tiranës për të kërkuar më shumë. Tentativat e tyre janë efikase dhe, duke përfituar edhe nga një moment “jo” i vendaseve, e mbyllin periodën e tretë me një pikë avantazh 54:55.

Por 10-minutëshi i fundit flet krejtësisht për Gogën. Loja e tyre ritëm super, shpejtësi dhe efikasitet. Që në fillim vendaset, brenda pak sekondash shënojnë 7 pikë radhazi, duke rivendosur epërsinë e tyre. Këtu shfaqet amerikania MekRoi që, përmes 2 trepikëshave dhe lojës së saj dinamike, thellon avantazhin e bregdetareve, duke shokuar përfundimisht Tiranën.

ROLAND GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"