Goditjet standarde, asnjë gol me Rejën/ Shqipërisë i ka ngelur ora te perlat e Salihit e Kaçes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 20:19


Goditjet standarde, asnjë gol me Rejën/ Shqipërisë i ka ngelur ora te perlat e Salihit e Kaçes

Ishte minuta e 67-të e ndeshjes Norvegji-Sh qipëri, më 22 mars të vitit 2013. Goditje dënimi për kuqezinjtë, Ervin Bulku e pason topin tokazi me një gjuajtje “mashtruese” dhe aty “mbin” nga hiçi Hamdi Salihi, që i përvidhet nga krahët gjithë mbrojtjes norvegjeze dhe me një goditje potente e të kalibruar mirë, e çon topin në trekëndëshin e portës kundërshtare. Padyshim një nga golat më të bukur të Shqipërisë me goditje dënimi.

gettyimages-164317860-612x612

Momenti kur Hamdi Salihi shënon pas një skeme nga goditja e dënimit në ndeshjen e 22 marsit 2013 në Oslo të Norvegjisë, ku Shqipëria fitoi 0-1.

Jo vetëm sepse qartazi ishte një skemë e punuar, por u realizua aq mjeshtërisht nga ata që sot janë ndihmësit e Edi Rejës. Po sot, Kombëtarja jonë si e ka bilancin me golat në goditje standarde? E çuditshme, por e vërtetë: nën drejtimin e Rejës, në 3 vitet e fundit, Shqipëria nuk ka shënuar asnjë gol nga goditjet standarde.

ASNJË!

Mund të jetë rastësi, ose edhe pamundësi, sepse nuk është aq e thjeshtë të shënosh nga goditjet e dënimit kur nuk ke në ekip Alban Mehën, Ergys Kaçen, Ervin Skelën, Adrian Aliajn dhe deri te Hysen Zmijani, që mund ta “pilotonin” topin si të donin nga çdo kënd i fushës, por ama diçka duhet menduar, sepse këto janë detaje që vendosin fatet e një ndeshjeje.

Kush nuk e beson, mjafton të kujtojë golin e fitores 2-1 të Aliajt kundër Greqisë më 2004-ën, atë të Salihit në Norvegji ku fituam 1-0, perlën e Kaçes kundër Francës (fituam 1-0), apo “predhat” e Mehës kundër Maltës dhe Lituanisë.

PROBLEME MENDIMI, JO GJUAJTËSISH…

Dikush, që pasi ka lexuar këto rreshta, me të drejtë mund të pyesë: po te Shqipëria sot kush është mjeshtri i goditjeve standarde? Nuk kemi një “snajper” në radhët tona, edhe pse Cikalleshi, Çekiçi apo Lenjani nuk janë për t’u nënvlerësuar nga goditjet e dënimit. Por, as Salihi nuk është shquar për goditjet e dënimit.

Ishte i famshëm për golat me roveshatë, por goditja e tij kundër Norvegjisë erdhi pas një skeme të menduar dhe të punuar në stërvitje. Kjo është e pamohueshme. Sot Shqipëria e ka mangësi këtë aspekt, në një periudhë kur futbolli modern u kushton gjithnjë e më shumë rëndësi të gjitha detajeve.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL