Goditjet e radhës të Luftëtarit, afron dy futbollistë amerikano-latinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2017 | 9:44

Goditjet e radhës të Luftëtarit, afron dy futbollistë amerikano-latinë

Luftëtari ka nisur të jetë konkret në merkato, ndonëse ky proces nisi me vonesë. Së fundmi te gjirokastritët kanë afruar edhe dy futbollistë nga Amerika Latine. Në Nausa të Greqisë, skuadrës i janë bashkuar edhe dy lojtarë me tipare defensive.

fakundo nasif

Pikërisht bëhet fjalë për Bruno Toledo, 22 vjeç, i cili vjen nga Uruguai. Toledo është një lojtar polivalent, pasi mund të luajë në disa role, si mbrojtës, por edhe në mesfushë në krahun e djathtë, ose në qendër. Ndërsa afrimi tjetër është mbrojtësi argjentinas Fakundo Nasif, 29 vjeç. Me këta dy lojtarë shkon në katër numri i futbollistëve të huaj që kanë mbërritur te skuadra gjirokastrite.

Më herët Luftëtari ka afruar sulmuesin nga Uruguai, Fabricio Nunjez, si dhe liberianin Abu Kamara, i cili vijon të jetë në provë dhe, sipas të gjitha gjasave, vetëm pas përfundimit të fazës përgatitore do të merret vendimi nga stafi teknik. Shpresohet që dy mbrojtësit latino-amerikanë që kanë mbërritur dje te Luftëtari të jenë cilësorë dhe në formë për të përballur një sezon akoma më të vështirë në Kategorinë Superiore.

luftetari

Një tjetër futbollist u rikthye te Luftëtari ditën e djeshme. Fjala është për Vangjel Zguron, i cili më në fund vendosi që të mbetet pjesë e bluzinjve. Me dy afrimet e reja, repartet e bluzinjve po shkojnë drejt plotësimit të boshllëqeve, çka do të rritin ndjeshëm konkurrencën brenda grupit. Jo vetëm kaq, po në radhët e gjirokastritëve janë afruar disa lojtarë të rinj me perspektivë, pjesë e “fidanishtes” së Luftëtarit, si dhe të ardhur nga rrethet e tjera. Të gjithë të rinjtë e afruar në ditët e përgatitjeve në Gjirokastër janë në provë, pasi më parë duhet të bindin dyshen teknike Fernandez-Rubelo.

AKADEMIA

Paralelisht me stërvitjet e ekipit të parë në Nausa, në Gjirokastër vijojnë përgatitjet verore edhe ekipet e moshave. Në këtë kuadër, ekipi i 19-vjeçarëve zhvilloi dje një test miqësor me Butrintin e Kategorisë së Dytë, në fushën e stadiumit “Andon Lapa” të Sarandës. Të rinjtë e dyshes Bistri-Bimi, edhe pse për 70 minuta u rezistuan vendësve të drejtuar nga Adriatik Faslliu, nuk shmangën dot humbjen 2- 0. Sakaq, paratërinjtë e Luftëtarit u mundën nga të rinjtë e Butrintit me rezultatin e ngushtë 1-0.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"