Goditje për Dinamon, titullari i bluve pëson një dëmtim të rëndë në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2021 | 14:33

Goditje për Dinamon, titullari i bluve pëson një dëmtim të rëndë në stërvitje

Dinamos nuk po i ndahet tersi i dëm timeve, kur jemi ende në fazën e parë të kampionatit. Goditja e fundit për trajnerin Bledi Shkëmbi është dëmtimi i Lansinet Sidibes, i cili duket se do të mungojë për një kohë të gjatë.

SIDIBE

Futbollisti afrikan është dëmtuar gjatë stërvitjes, ai ka pësuar një rrupturë muskuli që mund ta mbajë jashtë fushave mbi një muaj. Sidibe është një nga titullarët më të rëndësishëm në formacionin e bluve.

Përveç mesfushorit të qendrës, që është edhe roli i tij natyral, ai është aktivizuar në disa ndeshje edhe në qendër të mbrojtjes, duke mbuluar mungesën e Sofranakut.

Kështu ka ndodhur në ndeshjen me Vllazninë në Shkodër, por edhe në dy derbet e fundit me Tiranën. Për trajnerin Shkëmbi nuk ka qetësi, pasi sapo mori lajmin e mirë të rikuperimit të Sofranakut, atij i është hapur një “gropë” në mesfushë, ku ndoshta i duhet të bëjë përsëri spostime.

TERAPI NË SERBI – Për një rikuperim sa më të shpejtë të futbollistit afikan, drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë menduar ta çojnë atë në Serbi, siç bënë me Sofranakun. Sidibe mund të bëjë disa seanca terapie speciale në Beograd, që kanë një kosto të lartë financiare, por skuadra ka nevojë për të dhe klubi është gati të sakrifikojë.

Me kalimin e ditëve do të shihet më saktë se sa kohë do të mungojë mesfushori, por që ka humbur disa ndeshje të radhës, kjo është e sigurt.

MESFUSHA – Sidibe deri tani ka luajtur me Demirin në qendër të mesfushës, ndonjëherë edhe me Ali Samaken apo ndonjë lojtar tjetër. Me mungesën e tij, për stafin blu mbeten si alternativat kryesore këta dy lojtarë, por Samake në disa ndeshje nuk ka bindur aspak.

Në organikën e Dinamos, lojtarë të këtij roli janë edhe Berberi dhe Abazaj, por ata nuk kanë përvojë në Superiore dhe ndonjëherë kanë përfunduar edhe në tribunë.

Nëse vendos të bëjë spostime, trajneri Shkëmbi mund të aktivizojë Siljanovskin në mesfushë, rol që maqedonasi e mbuloi mirë në derbin e Kupës së Shqipërisë me Tiranën.

Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Edis Maliqi, mbrojtësi i krahut të djathtë, do të jetë plotësisht gati deri në ndeshjen e radhës, që është ajo e kthimit me Tiranën në Kupë. Ndoshta këto ditë stafi teknik mund të shohë edhe ndonjë zgjidhje tjetër.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"