Goditje dyshe, Lushnja merr Himën dhe Broshkën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2021 | 22:14

Goditje dyshe, Lushnja merr Himën dhe Broshkën

Tri firma në një ditë te Lushnja. Ka rinovuar mesfushori Fabian Blakçori, por janë zyrtarizuar edhe dy afrime në merkato. Bëhet fjalë për mbrojtësin Klajdi Broshka dhe sulmuesin Mirian Hima, të cilët kanë gjetur akordin me verdhejeshilët.

lushnjaa

Numri i afrimeve shkon përfundimisht në tre, pasi më herët ka ardhur edhe portieri Livio Malaj. Lojtarët kanë zbarkuar në selinë e klubit, ku kanë hedhur edhe “të zezën mbi të bardhë”.

BROSHKA – Klajdi Broshka vjen nga Shkumbini, ndërsa më herët ka luajtur me ekipe si Turbina, Apolonia dhe Egnatia. Mbrojtësi mbylli një sezon të suksesshëm në Peqin, pasi u ngjitën në Kategorinë e Parë. E megjithatë, tashmë 27-vjeçari do të mbrojë ngjyrat e verdhejeshilëve.

“Po, kam firmosur një kontratë 1-vjeçare me Lushnjën. Shpresoj që të më shkojë mbarë. Kemi folur dhe kemi rënë dakord, ndaj kam firmosur për të qenë pjesë e Lushnjës, ekip me pretendime, faktor në Kategorinë e Parë si pjesë e ekipeve që duan Superioren”, deklaroi elbasanasi enkas për “Panorama Sport”.

HIMA – Po dje, te Lushnja ka firmosur edhe sulmuesi Mirian Hima. 24-vjeçari ka qenë pjesë e Erzenit sezonin e kaluar dhe është dalluar për golat e tij, ndaj pritshmëritë për këtë lojtar janë të mëdha. Ai ka rënë dakord me kushtet e ofruara dhe ka firmosur, gjë që e konfirmon edhe për gazetën:

“Firmosa kontratën me Lushnjën. Bëra edhe seancën e parë të stërvitjes. Do të luaj me një ekip pretendent si Lushnja dhe do të mundohem të bëj më të mirën”.

BLAKÇORI – Nuk ka vetëm afrime, por edhe konfirmime. Futbollisti i 4- t që ka zgjatur kontratën me klubin, është mesfushori Fabian Blakçori. Tiranasi ka gjetur akordin për një tjetër vit me klubin.

Kështu, te Lushnja ka shkuar në 7 numri i futbollistëve që janë zyrtarisht nën kontratë (prurje dhe rinovime). Ndërsa, veç firmave, dje skuadra u është rikthyer përgatitjeve, që kanë nisur në orën 18:00 në “Roza Haxhiu”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"