Goditje “big” për qendrën e mbrojtjes, klubi i Kategorisë së Parë prezanton futbollistin brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2023 | 23:09

Goditje “big” për qendrën e mbrojtjes, klubi i Kategorisë së Parë prezanton futbollistin brazilian

Oriku bën goditjen e madhe në merkato. Klubi afron një lojtar me peshë për qendrën e mbrojtjes. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht lajmin se kanë siguruar shërbimet e Vitor Francisko dos Santos de Karvalho.

oriku5

Braziliani i lindur në San Hoze do Rio Preto, do t’i bashkohet skuadrës së Arlind Rustemi për pjesën e dytë të këtij sezoni. 29-vjeçari i lindur më 17 shkurt 1993, dallohet për shtatlartësinë e tij (1.92 metra) dhe mbi të gjitha për CV-në e tij. Veç aktivizimit në ekipe të ndryshe të Brazilit apo Portugalisë, ai ka edhe një eksperiencë në Europë dhe konkretisht në Gjeorgji. Ka qenë pjesë e Sioni Bolsini gjatë viti 2022, ekip që militon në Ligën e Parë.

Dhe është aktivizuar jo pak, madje shpesh herë është zgjedhur në formacionin më të mirë të javës. Numëron 1265 minuta nga 15 ndeshje, 14 prej të cilave i ka nisur si titullar. Pasi ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit, pritet që sot të zbarkojë në Orikum dhe të firmos kontratën. Braziliani shikohet si garanci e madhe në fazën defensive, për shkak të eksperiencës që ka pasur. Vitor Karvalho është lojtari i dytë që i shtohet orikasve në këtë dritare transferimesh.

thierno

Afrimi i parë ishte Thierno Thium, 24- vjeçari nga Senegali. Deri më tani largime nga skuadra nuk ka pasur, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë në vijim apo jo. Por klubi dhe stafi teknik po punojnë për të afruar lojtarë cilësorë, që të bëjnë diferencën.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"