Goditja e janarit, braziliani Xhekson: Te Luftëtari, si në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2018 | 20:22

Goditja e janarit, braziliani Xhekson: Te Luftëtari, si në shtëpi

Xhekson Ferreira i ardhur në radhët e Luftëtarit, merkaton e janarit është kthyer një nga titullarët e padiskutueshëm të formacionit bluzi. Me paraqitjen e tij mbresëlënëse, 26- vjeçari brazilian ka fituar simpatinë e të gjithëve në Gjirokastër, por jo vetëm. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, Xhekson u shpreh: “Në ndeshjen me Teutën vijmë pas fitores 2-0 me Lushnjën. Edhe pse e fituam takimin, lushnjarët na vunë jo pak në vështirësi, por falë kualiteteve dhe lojës në grup e mbyllëm fazën e tretë me pikë të plota. Tashmë na duhet të punojmë fort për të nisur me këmbën e duhur fazën e katërt. Teuta do të jetë kundërshtari i radhës dhe e dimë se durrsakët do të synojnë maksimumin nisur dhe nga pozitat që kanë në klasifikim. Do të jetë ndeshje e vështirë, por ne luajmë në fushën tonë dhe fitorja është detyrim”.

xhekson luftetari

OBJEKTIVI – Luftëtari pas javës së 27-të renditet i pesti në klasifikim me 40 pikë të grumbulluara, duke koleksionuar 11-fitore, 7 barazime dhe 9 humbje. “Djemtë edetit” i kanë shkaktuar 1 nga 3 humbjet në shtëpi Luftëtarit në kuadër të javës së 10-të. Durrsakët, të mërkurën e 15 nëntorit të vitit të shkuar mposhtën gjirokastritët 3-2, ndaj sfida e së shtunës kërkon impenjim maksimal nga ana e bluzinjve. Vazhdimësia e ecurisë pozitive për Luftë- tarin në fazën e katërt fillon nga takimi me Teutën.

“Për të bërë realitet Europën na duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, një e nga një duke filluar nga Teuta. Dëshira nuk do të mjaftonte nëse gabojmë në të ardhmen. Të mbyllim me sukses ndeshjen e radhës dhe më pas të mendojmë për takimet e mbetura”, ka vazhduar Xhekson që shton se ka arritur të përshtatet më së miri me ekipin e tij të ri. “Tani jam bërë si i shtëpisë këtu në Gjirokastër. E ndjej nga thellësia e shpirtit tim se shokët e skuadrës dhe qytetarët më respektojnë dhe unë bëj të njëjtën gjë karshi tyre. Më pëlqen mënyra e të jetuarit. Ndihem i vlerësuar dhe do të jap më të mirën për ekipin”, ka mbyllur Xhekson.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"