Goditi shishen dhe lëshoi të shara, zbulohet shkaku i acarimit të Ibrahimoviçit në sfidën me Napolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2020 | 21:00

Goditi shishen dhe lëshoi të shara, zbulohet shkaku i acarimit të Ibrahimoviçit në sfidën me Napolin

Me 38 vite, 9 muaj e 1 javë mbi shpinë, Zlatan Ibrahimoviç u bë ndaj Napolit lojtari i pestë më i moshuar që ka luajtur me fanellën kuqezi. Suedezi la pas Filipo Inzagin, teksa tashmë është në ndjekje të Albertozit, Storarit, Maldinit dhe Kostakurtës, të cilët me Milanin kanë luajtur edhe pas përvjetorit të 40-të. Në pritje për të mësuar të ardhmen, Ibra vazhdon të konsolidojë pozitën e tij si golashënuesi më i mirë i klubit në dekadën e fundit.
News-CU-Ibra-04.06.2020
SYNIME – Nuk dihet se çfarë do të vendosë në fund të sezonit, por për momentin në vëmendjen e tij është Parma. Sulmuesi do të kërkojë të fshijë paraqitjen jo fort të mirë të dhuruar ndaj Napolit, e cila kulmoi me daljen nga fusha mes nervash. Goditi me shishe dhe lëshoi disa të shara, por nga burime pranë Milanit sigurojnë që Zlatan e kishte inatin me veten, sepse në fushë nuk kishte bërë më të mirën.
Zlatan-Ibrahimovic-Bottle
PRAPASKENA – Ndërkohë, në këtë çështje është thelluar “Tuttosport”, e cila garanton se përveç inatit me veten, 38-vjeçari kishte nervozizëm edhe për shkak të disa shokëve të ekipit. Ibra ishte i bindur se Milani mund të dilte me tri pikë nga “San Paolo”, dhe përveç gabimeve të shumta, ai nuk ka kapërdirë dot sjelljen e prapavijës në rastin e golit të dytë. Mbulimi i Hernandez ndaj Kajehonit, por sidomos butësia me të cilën Benaseri tentoi të ndalte goditjen e Mertensit janë dy aspektet që veterani nga Malmoe nuk i justifikon dot. Gjithçka është sqaruar në çast, çka është pasqyruar edhe nga harmonia e stërvitjeve të fundit në grup, megjithatë, me sjelljet e tij Ibrahimoviç ka dhënë mesazhin e qartë se do të duhet më shumë përkushtim e vëmendjen në rast se skuadra kërkon të arrijë të paktën në vend të gjashtë në renditjen e Serisë A, që do të përkthehej në kualifikim në Ligën e Europës.

REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"